Kollari: E kemi ditur që nuk do ta kemi të lehtë me Slloveninë

Futboll

Kollari: E kemi ditur që nuk do ta kemi të lehtë me Slloveninë

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 14:37
Kollari: E kemi ditur që nuk do ta kemi të lehtë me Slloveninë

Djemtë e Kombëtares së Kosovës U-17, nuk arritën të përsërisin lojën sikur me kampionin e dyfishtë evropian Holandën, në ballafaqim  me Slloveninë. Kjo e fundit arriti të shënojë fitore kundër Dardanëve, me rezultat 2:0. Një gol i pësuar herët qysh në minutën e 12-të përmes Sheshkos, pas një gabimi të mbrojtës sonë, ndikoi shumë në rrjedhën e lojës.

Disi futbollistët tanë sikur u mbyllën dhe nuk luajtën lojë të  hapur, duke e respektuar tej mase kundërshtarin, që rezultoi që pjesa e parë të përmbyllet me epërsinë minimale të sllovenëve.

Në pjesën e dytë futbollistët tanë u ngjallën dhe u orvatën të barazojnë rezultatin, por për fatin tonë të keq në minutën e 63-të Andi Hoti u përjashtua nga loja pas kartonin të dytë të verdhë dhe kjo e vështirësoi situatën në taborin tonë.

Por, djemtë tanë sulmuan e nuk u dorëzuan por pa sukses. Në minutën e 86-të erdhi edhe goli i dytë i sllovenëve përmes Zajshekut dhe 2:0 për Slloveninë me të cilin rezultat edhe përfundoi ndeshja e dytë kualifikues për Kosovën.

Rezultati u takoi sllovenëve, por pjesa e  dytë ishte plotësisht në anën e djemve tanë. Si do që të jetë ka mbetur edhe ndeshja e fundit kundër Uellsit të martën më 15 tetor prej orës 19.00 dhe mbetet të shihet se si do të përfundon edhe ndeshja tjetër ndërmjet Holandës dhe Uellsit për të parë si do të rrjedhin gjërat për kualifikim.  

Besnik Kollari, përzgjedhës, tha se e ka ditur se nuk do ta kenë të lehtë me sllovenët. “E kemi ditur që nuk do ta kemi të lehtë me Slloveninë, por ne u munduam të bëjmë diçka më shumë por nuk arritëm. Goli i hershëm nga një aksion që nuk premtonte ndikoi te futbollistët tanë. Në pjesën e dytë ndryshuam edhe sistemin  e lojës por na u përjashtua herët Hoti dhe kjo na e vështirësoi shumë lojën që të bënim diçka më shumë, ndonëse patëm edhe ne disa raste. I angazhova dy futbollistë sulmues në pjesën  e dytë, por realisht Sllovenia ishte më e mirë se ne. Të shohim çka mund të bëjmë dhe të përmirësojmë në ndeshjen e fundit kundër Uellsit”, tha Kollari.

Rijad Bytyqi, futbollist, shprehet se shumë herë pësuan gol. “Pranuam një gol herët me faj të mbrojtjes por edhe timen dhe nuk arritëm të bëjmë lojën e duhur. Sllovenët nuk kishin diçka më shumë  se ne, por fituan. 

Mbetem pa një futbollist dhe kjo ndikoi bukur shumë, por ne gjithsesi do të punojmë tash që të shënojmë fitore në ndeshjen e fundit dhe të shohim nëse do të mund të kualifikohemi”, tha ai. Bleron Ademi, futbollist, mendon se sllovenët ishin rival i fortë.

“Kishim një kundërshtar të fortë ama edhe ne kemi luajtur dobët. Nuk kishin shumë lidhshmëri ndër veti sikur që ndikoi edhe përjashtimi i hershëm i Hotit, prandaj nuk arritëm të bëjmë më shumë. Tash duhet të mendojmë për ndeshjen e fundit”, thotë Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat