Trajneri i Malit të Zi me fjalë të mëdha: Në Prishtinë për fitore

Futboll

Trajneri i Malit të Zi me fjalë të mëdha: Në Prishtinë për fitore

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 21:24
Faruk Haxhibegiq

Trajneri i Malit të Zi, Faruk Haxhibegiq dhe sulmuesi Stefan Mugosa kanë dalë në konferencë para mediave para ndeshjes së nesërme që do ta luajnë kundër Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mali i Zi nuk ka shënuar në ndeshje zyrtare që nga sfida me Kosovën që u mbyll 1-1, por trajneri Haxhibegiq nuk është aspak i shqetësuar dhe thotë se ka ardhur në Prishtinë për të sulmuar dhe për të marrë fitore.

Ai tha se ka bërë analizat pas ndeshjes me Bullgarinë dhe ekipi nuk është aq dobët, por janë në një fazë tranzicioni ku po bëhet ndërrimi i gjeneratave dhe po ngritët një ekip i ri.

Haxhibegiq e pranoi se sfida ndaj Kosovës do të jetë një test, por e kaloi presionin tek ekipi ynë duke thënë se “Dardanët” kanë ende mundësi për t’u kualifikuar, ndërsa malazezët janë përqendruar në Ligën e Kombeve.

Sa i përket formacionit, trajneri i Malit të Zi tha se tashmë ka në kokë lojatrët që do të zbresin nesër në fushë, por shtoi se ka ende dyshime për dy lojtarë të cilat do të qartësohen pas stërvitjes së sotme.

“Sa i përket ekipit në përgjithësi, kam në kokë të gjithë ekipin e përcaktuar, nuk e kam ndarë me lojtarët se kush çka do të bëjë, kam edhe dy dilema të cilat do t’i sqaroj pas stërvitjes së sotme bashkë me shtabin tim. Më duhet të them se ekipi do të jetë kompetitivë dhe do të mund të sulmojmë Kosovën gjatë gjithë kohës. Ndërsa siç e kam ndarë me ju edhe më herët kemi parë që edhe në ndeshjen kundër Bullgarisë kemi bërë disa ndryshime për të përmirësuar disa gjëra, ndoshta do të shihni edhen nesër disa ndryshime”, tha ai.

Trajneri i Malit të Zi ka thurur lavde për lojtarin kosovar që luan me përfaqësuesen që drejton, Fatos Beqirajn, për të cilin se tha se është i shkëlqyer dhe shumë i rëndësishëm e model për lojtarët e rinj.

Ndërsa, sulmuesi Stefan Mugosa i cili i shënoi Kosovës në ndeshjen e parë të zhvilluar në Podgoricë, tha se kanë ardhur në Prishtinë për të marrë të tri pikët.

Ai tha se ndihet mirë dhe në formë dhe pret që të kontribuojë në ndeshjen e nesërme që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mugosa, që aktivizohet më ekipin koreano-jugor Incheon, është i kënaqur me ecurinë e tij në përfaqësuese dhe ekip pasi tha se ka gjetur shumë herë rrjetën e golit.

Sulmuesi nuk la pa përmendur ekipin e Kosovës për të cilin tha se është i shkëlqyer dhe këtë e ka dëshmuar në të gjitha ndeshjet.

Mirëpo, ai këmbëngul se do të bëjnë lojën e tyre dhe të gjithë pa përjashtim do të bëjnë maksimumin.

“Sa i përket Kosovës janë ekip i shkëlqyer e kanë treguar këtë në Mal të Zi dhe gjithandej dhe kanë lojtarë të shkëlqyer që luajnë në ekipet më të forta në ligat më të forta gjithandej Evropës. E respektojmë kundërshtarin, por prapë për ne e shikojmë vetveten e shikojmë situatën tonë dhe do të japim maksimumin tonë, do të bëjmë lojën tonë. Sa i përket atmosferës, kemi dëgjuar që janë shumë të flaktë si tifozë dhe mezi presim që të dalim të luajmë në një stadium të tillë”, deklaroi ai.

Ndryshe, ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet nesër në mbrëmje në ora 20:45.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat