Shkëndija zhgënjen tifozët

Futboll

Shkëndija zhgënjen tifozët

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 19:49
Shkëndija zhgënjen tifozët

Shkëndija nga Tetova, kampion në fuqi, nuk ka mundur t’i mundësojë start me fitore në pankinën kuqezi për trajnerin Ernest Gjoka, pasi në kuadër të javës së 10-të në Kampionatin e Maqedonisë së Veriut, në futboll, nga Tetova me fitore 1:0 dhe 3 pikë doli Akademia Pandevi.

Me trajnerin tiranas në pankinë kuqezinjtë në fushë u mbështetën të lojtarët me eksperiencë, duke u rreshtuar në fazën ofensive A. Ibraimi, Felipe, Alimi dhe i riu Imeri, si mbështetje për sulmuesin më të avancuar B. Ibraimi.

Formacioni iu besua edhe Zeni Husmanit, që nuk gjente hapësira e trajnerët paraprak, ndërsa mbrojtja ishte thuajse standarde me Muratin e Micin në krahë, ndërsa Bejtullain dhe Çeshmexhiev në qendër.

Ndeshja nisi me dy kanosje në miqve, që nuk shqetësuan portierin Zahov, ndërsa në vazhdim kuqezinjtë morën ndeshjen nën kontroll dhe kërkonin hapësira të depërtojnë zonën kundërshtare. Pas disa gjysmërasteve kërcënimi konkret do të vinte nga një e djathtë e fortë e Zeni Husmanit që kontrollohet me vështirësi në dy kohë nga portieri mysafir Çubrakoviq.

Dukej se pjesa e parë ishte e determinuar të mbyllet pa gola, por miqtë shfrytëzuan një përgjumje të mbrojtjes kuqezi në kohën shtesë kur pas harkimit nga këndi Maslaq me kokë shënon për epërsi të Akademia Pandevit. 0:1 nga fraksioni i parë ishte e natyrshme që në vazhdim kuqezinjtë të jenë të orientuar tërësisht në pjesën kundërshtare dhe afër barazimit do të shkonte Alimi me goditje nga distanca, por pa gjetur kuadratin.

Trajneri Gjoka kërkoi të freskonte ekipin me disa zëvendësime dhe tentimi i radhës do të vinte nga i posainkuadruari Radeski që godet me kokë skaj portës pas një harkimi nga këndi.

Në mënyrë të ngjashme provoi B. Ibraimi që nuk gjen kuadratin, ndërsa në vazhdim numri ‘7’ nuk arrin të rrezikojë nga një goditje standarde që zakonisht i hyn shumë në punë. E majta e Agim Ibraimit nuk paraqiti shqetësim për portierin mysafir, që arriti me sukses të mbrojë portën e tij deri në fund, me Akademia Pandev që del me tre pikë nga ky duel. Akademia Pandev kryeson me 21 pikë, kurse Shkëndija është në pozitën e gjashtë me 11 sosh pas 10 jave të zhvilluara.  

Shkëndija-Akademia Pandev 0:1 
Stadiumi i qytetit në Tetovë.
Shikues: 2500.
Gjyqtar: Marjan Markoski.
Shënues: Maslaq (45’+2).
Shkëndija: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (Totre 83′), B. Ibraimi (c), A. Ibraimi, Murati, Imeri (Radeski 61′), Çeshmexhiev, Felipe (Shefiti 72′), Husmani. Trajner: Ernest Gjoka.
Akademia Pandev: Çubrakoviq, Jovanov, Atanaskovski, Dimov, Stoilov, Doriev (Kostov 89′), Velinkovski (Nikolov 79′), Pandev (c) (Krtovski 70′), Tomovski, Stojkoski, Maslaq. Trajner: Jugosllav Trençovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat