Projekti rekrutimi i vajzave/ Deçani, vatër e talenteve të futbollit

Futboll

Projekti rekrutimi i vajzave/ Deçani, vatër e talenteve të futbollit

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 19:53
Ilustrim

Projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” nën organizim të FFK-së në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit dhe i mbështetur nga UEFA ka vazhduar me turneu e radhës në Deçan nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”.

Kjo ishte hera e parë që kjo komunë është përfshirë në këtë projekt dhe pa dyshim përzgjedhja e saj në mesin e 14 komunave ishte e qëlluar, duke pasur parasysh interesimin e madh dhe talentet e jashtëzakonshme që ka kjo komunë për lojën e futbollit, por që fatkeqësisht ende nuk ka një klub të organizuar për futbollin e femrave.

Në hapje të këtij turneu ishin të pranishëm kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, drejtori për arsim, Bekim Vishaj, drejtoresha për sport, Leonora Ukëhajdaraj dhe zyrtarë tjerë komunalë dhe pedagogë e drejtorë të shkollave të mesme të ulëta të komunës së Deçanit. Duke folur për këtë projekt, Vjollca Krasniqi theksoi se FFK është duke bërë çmos që ta masivizojë futbollin e femrave në tërë vendin dhe Deçani është zgjedhur si njëra nga komunat për organizimin e këtij turneu që për qëllim ka pikërisht sensibilizimin e vajzave të reja për lojën më të popullarizuar në botë.

“Ne si FFK po i nxisim dhe po i motivojmë vajzat e reja që të luajnë futboll dhe njëherësh në ato komuna ku nuk ka klube synojmë që t’i sensibilizojmë njerëzit e sportit dhe zyrtarët komunalë që të veprojnë për krijimin e klubeve. Shpresoj se komuna juaj do të na ndihmojë për të themeluar një klub të futbollit për femra, pasi po shihet që këtu ka talente të mjaftueshme, të cilave duhet t’iu krijohen kushtet për ta shfaqur talentin e tyre në futbollin e organizuar”, ka theksuar Krasniqi. Ndërkohë, drejtori për arsim Bekim Vishaj dhe drejtoresha për sport, Leonora Ukëhajdaraj kanë falënderuar FFK-në që e kanë zgjedhur Deçanin për ta përfshirë në këtë projekt, si dhe kanë premtuar se do të ndihmojnë njerëzit e futbollit që në të ardhmen e afërt të krijohet një klub i futbollit për femra.

Pjesëmarrëse në këtë turne ishin 8 shkolla të kësaj komune (Lidhja e Prizrenit, Bajram Curri, Faik Konica, Maxhun Çeku, Kuvendi i Verrave të Llukës, Sylejman Vokshi, Syl Alaj, Lan Selimi), ekipet e të cilave shfaqën lojëra mjaft interesante, e ku u dalluan shumë talente, emrat të cilave u shkruan në notesin e pedagogëve dhe njerëzve të futbollit në këtë komunë, të cilët në të ardhmen shpresojnë të gjejnë mjetet e duhura për të nisur me organizimin e një klubi të futbollit të femrave.

Në fund fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Kuvendi i Verrave të Llukës”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Lan Selimi”, me rezultat 4:2. Për të gjitha ekipet pjesëmarrëse FFK ndau nga 6 topa futbolli si dhe mirënjohje, derisa për dy ekipet finaliste u ndanë kupa. Pedagogët e kësaj komune falënderuan FFK-në për topat e dhuruara, duke e vlerësuar këtë si një ndihmesë tejet të madhe për aktivitetin e tyre në lëndën e edukatës fizike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat