Agim Ademi s’e merr pagën e kryetarit të FFK-së, e dhuron për bamirësi

Futboll

Agim Ademi s’e merr pagën e kryetarit të FFK-së, e dhuron për bamirësi

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 00:23
v

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, s’e merr pagën e kryetarit të Federatës, pasi që ka thënë se është në gjendje të mirë financiare dhe paratë që do të duhej t’i merrte do t’i jep për bamirësi.

I ftuar në emision sportiv “Favorit” në T7, sonte është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2020, dyshimet për keqpërdorime me biletat e Kosovës, pozitën e tij si kryetar i FFK-së dhe gjendjen brenda Federatës.

Që kur është emëruar në pozitën e kreut të FFK-së, Agim Ademi s’ka pranuar ta marrë pagën që i takon, pasi që tregon se është në gjendje të mirë financiare.

Pagat e tij shkojnë në një fond të Federatës që mund ta shfrytëzojnë futbollistët e rinj kur pësojnë lëndime dhe u duhen para për procesin rikuperues. Disa prej parave shkojnë edhe për bamirësi.

“Unë nuk e kam marrë asnjëherë rrogën në Federatë të Futbollit, tash e 20 vjet që jam. Nuk i marr as mëditjet e mia, që i marrin anëtarët e tjerë. Nuk po tregoj madhështi këtu, por unë futbollin e kam pasion”, deklaroi Ademi.

“Unë për futboll kam dhënë pare bashkë me shumë shokë. Më shumë e bëj për pasion, sesa për para sepse qëndroj mirë financiarisht”.

“Ajo pagë shkon në një fond që mbetet në Federatën e Futbollit të Kosovës, këtë punë do ta bëjë me shumë shpirt për të gjithë sportistët e rinj. Dashtë Zoti mos u dashtë, por në rast të ndonjë lëndimi, kushdo që s’ka mundësi, do t’ia mundësoj t’i përdor ato para. Nganjëherë edhe për ndihma të tjera”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat