Ancelotti: Ndaj Veronës fitore karakteri, Ibrën e presim te Napoli

Futboll

Ancelotti: Ndaj Veronës fitore karakteri, Ibrën e presim te Napoli

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 09:21
Carlo Ancelotti

Napoli u rikthye te suksesi dhe Milik u rikthye te golat, duke shënuar dopietë në fitoren 2-0 ndaj Veronës, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen që skuadra e tij dhuroi në fushën e lojës.

“Ishte një fitore që na shërbeu për të rikthyer qetësinë nga turbullirat e ditëve të fundit. Verona është një kundërshtar shumë fizik dhe vuajtëm të hymë në ndeshje, por në fund ishte më shumë një fitore karakteri”, deklaroi tekniku napolitan.

Më pas Ancelotti foli edhe për formën e Milik, marrëdhënien me Insignen dhe shanset që Zlatan Ibrahimoviç të rikthehet në kampionatin italian, por këtë herë me fanellën e Napolit, ashtu si suedezi pati deklaruar pak ditë më parë.

“Milik po vjen në formë të mirë dhe golat me kombëtaren e ndihmuan të dhurojë këtë paraqitje. Është në futbollist që do të luajë shpesh gjatë sezonit. Me Insignen u sqarova që në Belgjikë, ku e lashë në tribunë. Është kapiteni ynë dhe nuk kam probleme me të. Ibrën do ta telefonoj sonte për t’i thënë që e pres te Napoli. Nesër ju tregoj se çfarë do të më thotë”, tha Ancelotti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat