Bayerni me telashe

Futboll

Bayerni me telashe

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 18:22
Hernandez

Bayern Munihu e mposhti në udhëtim me rezultat 3:2 Olympiakosin, por që ka tani telashe me lëndime. Pas lëndimit të Niklas Sule, tani lëndohet edhe Lucas Hernandez. Francezi ka një lëndim në ligamentin e gjurit, dhe nuk dihet ende se sa do të mungojë, por  bëhet me dije se mund të qëndrojë jashtë fushave për 6 deri në 8 javë.

Sikur mos të mjaftonte kjo edhe dy lojtarë të tjerë janë dëmtuar ndeshjen e pardjeshme, por jo kaq rëndë sa Hernandez, bëhet fjalë për Gnabryn dhe Javi Martinezin. Një fitore që është shumë e rëndësishme për ecurinë në Champions. Gjithsesi, trajneri Niko Kovaç ka një merak, lëndimet e Hernandezit dhe  Martinezit. “Hernandez kishte dhimbje të mëdha.

Shpresojmë të mos jetë aq e rëndë sa dukej, por na duhet të presim. Në pushim të ndeshjes ai kishte probleme muskulore, por ne nuk u treguam të kujdesshëm”, tha Kovaç. Ndërkohë, për sa i përket takimit të fituar, kroati u shpreh: “Një fitore që kërkoi shumë punë. Pas 1:0 skuadra reagoi mirë dhe ktheu takimin në favor të saj. Kjo është për t’u përgëzuar. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por kjo nuk ka shumë rëndësi për mua. Momentalisht nuk mund t’i menaxhojmë dot ndeshjet dhe për këtë më vjen shumë keq.

Loja nga krahët nuk ishte ashtu siç e mendoja. Kjo, edhe për meritë të kundërshtarit, i cili në fushën e tij luan një futboll shumë të shpejtë”.  Trajneri i bavarezëve foli edhe për ndeshjet e ardhshme, të cilat shpreson t’i fitojë për të larguar dyshimet se skuadra po kalon një krizë. “Deri në pushimin e radhës për ndeshjet e kombëtares na duhet t’i fitojmë të gjitha takimet.

Nuk dua të flas për individë të caktuar, por skuadra bëri shumë mirë. Sigurisht që mund të bëjmë edhe më mirë, por duhet të na jepni kohë për t’u futur në ritëm. Lëndimet e shumta në mbrojtje? Është një moment jo i mirë, fati nuk ka qenë në krahun tonë dhe për këtë më vjen shumë keq. Për momentin më kënaq fakti që kemi 9 pikë dhe jemi shumë pranë kualifikimit për në fazën me eliminim.

Por, gjithsesi, nuk duhet të relaksohemi shumë, pasi në Champions asnjëherë nuk i dihet”, përfundoi Kovaç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat