“Skifterat” dhe presidenti i Gjilanit e kishin paralajmëruar sulmin e sotëm

Futboll

“Skifterat” dhe presidenti i Gjilanit e kishin paralajmëruar sulmin e sotëm

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 23:46
Florim Zuka

Dy persona kanë sulmuar gjyqtarin Meriton Berisha pas përfundimit të ndeshjes Gjilani – Llapi, ku vendasit fituan 3-0.

Ky sulm mund të mos jetë i rastësishëm pasi që një veprim i tillë ka kohë që është paralajmëruar si nga tifozët ashtu edhe nga presidenti i klubit,.

Gjatë muajit maj, pas ndeshjes me Flamurtarin ku skuadra e Prishtinës kishte fituar me rezultat 0-1 “Skifterat” dhe presidenti Florim Zuka kishin paralajmëruar se do të ndërmarrin masa ndaj çdo zyrtari të FFK-së.

“Tradita e krimit ne futboll vazhdon ! Prej sot çdo zyrtar i Federates dhe refer i takimeve qe niset ne Gjilan do ta kete seriozisht te cenuar sigurine. Boll ma! Ju luani me endrrat tona,ne luajm me jeten tuaj. Shihemi“, kanë shkruar tifozët e Gjilanit në Facebook, shkrim ky që ende nuk është fshirë.

Në të njejtën gjuhë është shprehur edhe presidenti i klubit, Florim Zuka, i cili atëherë kishte probleme me gjyqtarin Kreshnik Vula.

“Le ta dinë të gjithë dashamirët e futbollit në Kosovë dhe njerëzit e FFK-së, që ti marrin masat e duhura ndaj këtij gjyqtari dhe shumë matrapazëve tjerë të këtij lloji që i thonë vetës gjyqtarë për ndarjen e drejtësisë të cilët janë turpi i gjyqtarëve të Kosovës. Unë do të analizoj çdo gjë dalëngadalë dhe do të vendosi vetë për çdo gjë, ose do të luhet futboll në shtetin e Kosovës ose do të plas ndonjë skandal i paparë në futboll, e për këtë gjë le ta dinë të gjithë gjyqtarët të cilët e dëmtuan klubin që nga marrja e klubit në duart e mija”, ka thënë ndër të tjera Zuka. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat