Limani: Çdo kush mund ta mposht gjithkënd 

Futboll

Limani: Çdo kush mund ta mposht gjithkënd 

Nga: Kemajl Goca Më: 29 tetor 2019 Në ora: 17:16
Ardian Limani

Sa vijnë e kalojnë javët gjithnjë e më shumë rriten emocionet në IPKO Superligën e Kosovës. Garë e fortë për kreun e tabelës, gjashtë skuadra luftojnë fyt për fyti!  Ballkani i prinë renditjes me 26 pikë, pasojnë Drita 24, Gjilani 24, Prishtina 23, Llapi 20, Feronikeli 19 pikë etj.  

Image

Ardian Limani dhe Bujar Shabani

Drita nga Gjilani pretendon titullin e kampionit, e cila ka një ekip kompakte. Fitorja me rezultat 2:0 në javën që e lamë pas në Ferizaj, shton edhe më shumë motivin te skuadra gjilanase, veçmas për të importuar edhe trepikëshin tjetër nga Prishtina kundër Flamurtarit.  

Ardian Limani, prej futbollistëve më luftarak në radhët e Dritës, tha se 3-4 skuadra janë në garë të fortë për kreun e tabelës. Kapiteni i Dritës, ndryshe ndër mbrojtësit më të mirë në elitë, ka thënë do të japin edhe atomin e fundit që ta rikthejnë titullin në Gjilan.  Drita në vend të dytë me 24 pikë, a e vlerësoni se janë pikë reale dhe e a sheh si kampionat me shumë emocione? “Ky është kampionati më i paparashikueshëm në vitet e fundit! Çdo kush mund ta mposht gjithkënd, pra nuk ka asnjëherë favorit absolut! Ndoshta, është dashur që t’i kemi edhe 4-5 pikë më shumë, por nuk kemi gabuar vetëm ne! Po, kampionati qysh tani ka filluar të na jap emocione të jashtëzakonshme!”, thotë Limani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Të dielën e fundjavës (në orën 13.00) Drita do të luajë në konak të Flamurtarit dhe kërkon pikë të plota.  “Pikët në Ferizaj na kanë kthyer vetëbesimin dhe do të na ndihmojnë që të zhvillojmë ndeshje më të mira në vazhdim! Flamurtari mund të jetë në krizë, mirëpo unë e shoh si ndeshje mjaft të vështirë, sidomos në terrenin e tyre! Nuk guxojmë të gabojmë, do të luftojmë vetëm për 3 pikë dhe asgjë tjetër!”, thotë kapiteni.

A mendoni se Drita është më e kompletuar, më e fortë e më e organizuar se një kampionat më parë dhe çka e veçon nga skuadrat tjera? “Po, Drita këtë vit është më e kompletuar dhe më e uritur për sukses. Organizimi është maksimal, entuziazmi tek tifozët është i madh dhe gjithkush pret trofe këtë vit! Këtë vit Dritën e dallon përvoja në skuadër dhe uniteti që qëndron brenda!

Kemi shumë lojtar që kanë qenë kampion të shumëfishtë në ligat përkatëse!”, përgjigjet futbollisti. Nëse shikojmë 12 javët e para, duket se gjashtë skuadra janë në garë për titull cili është rivali më i madh sipas Limanit?

“Mendoj që ka 3-4 rivalë të denjë për titull! Prishtina, Feronikeli, janë të denja për titull, por mund të ketë edhe befasi të tjera siç është Ballkani deri tani!”. Është interesante se dy skuadra nga një qytet, Drita dhe Gjilani janë në garë për titull, a vlerësoni se përballja mes tyre do ta sjellë shikueshmëri rekorde si gjithmonë, por edhe mund të vijë në një situatë që përballja mes tyre ta vendos titullin, a do ta dëshironi këtë?

“Sivjet derbi është shumë më i nxehtë, sepse të dyja kemi potencial për titull, mirëpo unë do të dëshiroja që mos ta diskutonim kampionatin vetëm ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, sepse ka edhe skuadra tjera të forta. Do të ishte e mirë për futbollin tonë dhe për qytetin tonë në veçanti që të vendoset titulli në ndeshjen direkte mes nesh!”, nënvizoi Limani.  

Futbollisti premton maksimumin po ashtu ka edhe një mesazh për tifozët e zjarrtë “Intelektualët”: “Në aspektin individual po jap maksimumin që të shërbej në pozitën time në mënyrën më të mirë, por ajo që ka rëndësi tani është grupi dhe ne si grup i premtojmë tifozëve angazhim të madh deri në arritjen e objektivave, që natyrisht janë titujt. Mendoj që rivaliteti është rritur shumë, po ashtu edhe niveli i lojës!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat