Legjenda e Arsenalit: Xhaka duhet ta mbyllë gojën dhe të vazhdojë përpara

Futboll

Legjenda e Arsenalit: Xhaka duhet ta mbyllë gojën dhe të vazhdojë përpara

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 18:30
Granit Xhaka

Ish-lojtari i Arsenalit, Emmanuel Petit, beson se mesfushorit Granit Xhaka duhet t’i merret shiriti i kapitenit dhe se ai duhet ta mbyllë gojën dhe të punojë shumë për ta rifituar respektin dhe dashurinë e tifozëve të klubit.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve.

Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë kontrollin dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.

Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.

Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.

“Ajo që ai e bëri në fushë është një gjë, unë e kam bërë të qartë se nuk e di çfarë i ofron ai skuadrës. Por, ajo që Xhaka bëri kur po largohej nga fusha është krejt diçka tjetër. Nuk mund ta bësh atë – është si tradhti në Angli”, ka thënë Petit.

“Ai po e bën punën më emocionuese në botë dhe duhet të bëjë sakrifica. Ju duhet ta kuptoni se kur luan për një klub të madh si Arsenal dhe je kapiten, duhet të jesh shembull brenda dhe jashtë fushës”.

“Tani, ai nuk është shembull. Kështu që tani duhet të tërhiqet, të mos përgjigjet në pyetje që mund t’i sjellin probleme – vetëm duhet ta mbyllë gojën dhe të punojë për ta kthyer besimin e tifozëve dhe lojtarëve”.

Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.

Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat