Analistët e futbollit japin prognozat e tyre për fituesin e kampionatit

Futboll

Analistët e futbollit japin prognozat e tyre për fituesin e kampionatit

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 11:21
Foto

Klubet që kanë investuar më së shumti do ta kenë fjalën kryesore në garën për titull të kampionit në Superligë si dhe në garën për trofeun Kupa e Kosovës.

Kështu mendojnë analistë të futbollit në Kosovë.  Ky kampionat konsiderohet njëri ndër edicionet më të mira dhe më të ‘nxehta’ të zhvilluar ndonjëherë, për shkak se tri skuadra do të jenë pjesë të garave evropiane në edicionin e ardhshëm.

Për Superligën e Kosovës ka folur ish trajneri i disa klubeve elitare, aktualisht drejtori i Flamurtarit, Arbnor Morina.

Ai thotë se qëllimi kryesor i klubeve është të hyjnë në tri vendet e para për të luajtur në Evropë. Sipas tij, ato klube që kanë bërë investime të mëdha do të jenë pjesë e garës për tri vendet e para të cilat të dërgojnë në Evropë.

Morina: Qëllimi i klubeve janë tri vendet e para të cilat të dërgojnë në Evropë

“Një stinor shumë interesant për arsye se disa klube që kanë investuar me vite iu kanë bashkangjitur edhe disa tjera që kanë bërë investime marramendëse dhe ka ardhur deri në pah ajo që numri i madh i futbollistëve kualitativ vetvetiu të fut në garë për trofetë të cilët duan t’i fitojnë. Do të thotë imperativi i këtyre klubeve është njëra ndër tri vendet e para, të cilët të çojnë në Evropë, kush do ta realizojë atë qëllim do ta shohim në fund”, thotë Morina.

Tekniku prishtinas beson se klubet, të cilat janë në vendet e para në renditjen tabelore do të vazhdojnë të ‘luftojnë’ mes veti deri në fund të sezonit.

Morina: Klubet që kanë bërë më shumë investime janë kryesorët për të fituar titullin

“Ekipet, të cilët kanë bërë investime të mëdha financiare kanësjell numër të madh të lojtarëve, pa marrë parasysh çfarë thonë trajnerët e tyre ata e kanë imperativin me fitu ose titullin ose kupën. Varianti më i keq është me qenë në vendin e dytë në tabelë për me dal në Evropë ose të tretit, sepse tri ekipet e para dalin në Evropë, kështu që këto ekipe, të cilat i kemi momentalisht lart janë ato të cilat kanë me luftuar për titull deri në fund”, tha Morina.

Ndërsa, Arsim Thaçi, një tjetër trajner i njohur i futbollit të Kosovës, thotë se në vitet e fundit ka ndryshime në Superligë dhe ka një ndarje në tabelë mes ekipeve që luftojnë për kreun e tabelës dhe ekipet që luftojnë për t’i ikur zonës së barazhit.

Thaçi: Kemi ndarje të tabelës mes ekipeve që luftojnë për kreun e tabelës dhe ekipeve që luftojnë për të qëndruar në Superligë

“Nëse realizojmë këto vitet e fundit është njëra ndër sezonet me ndryshimet më të mëdha. Kemi një ndarje të tabelës me ekipeve që luftojnë për kreun e tabelës dhe ekipet që do të luftojnë deri në fund për më shpëtu nga rënia nga Superliga”, thotë Thaçi.

Ish-trajneri i Flamurtarit gjithashtu tha se lufta po bëhet mes ekipeve që janë në kreun e tabelës dhe do të vazhdojnë në këtë mënyrë deri në fund të sezonit.

Thaqi: Lufta është mes ekipeve që janë në kreun e tabelës.

“Lufta do të jetë mes ekipeve që janë në kreun e tabelës. Një formë shumë të mirë këtë vit po tregon Ballkani që me plot meritë është në vendin e parë, pastaj ekipet si Drita e Gjilani që kanë një rivalitet mes tyre që kanë treguar në vitet e kaluara. Këtë vit kanë bërë ndryshime jashtëzakonisht të mëdha edhe normal besoj që do të luftojnë deri në fund”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë trajneri mitrovicas Gani Sejdiu, thotë se ky sezon vazhdon të jetë i paparashikueshëm,  sepse klubet kanë bërë investime të mëdha.

Sejdiu: Është bërë një ligë me shumë konkurrencë dhe për herë të parë në asnjë ndeshje nuk ka favorit

“Është bërë një ligë me shumë konkurrencë dhe investimet e klubeve kanë bërë që kjo do të jetë një kampionat shumë i paparashikueshëm, një kampionat ku si asnjëherë më parë nuk ka favorit në asnjë takim, ku edhe jem protagonist të kësaj, ekipet të cilat kanë qenë favorit kanë humb nga ekipet që janë me pak kualitative apo më të dobëta”, thotë Sejdiu.

Ish-tekniku i disa skuadrave të Kosovës, së fundi i Ballkanit, gjithashtu beson se pesë ekipet e para në renditjen tabelore do të vazhdojnë të jenë në garë deri në fund të sezonit.

Sejdiu: Ky kampionat është i paparashikueshëm

“Renditja në tabelë po e bën shumë të paparashikueshme. Do të jenë pesë ekipe për mendimin tim, të cilat do të luftojnë deri në fund për titull kampioni. Unë mendoj se një zhgënjim të vogël më ka dhënë Llapi, i cili nuk e ka qëndrueshmërinë e duhur nga takimi në takim, por mendoj që pesë ekipet që janë në fillimin e renditjes do të jenë deri në fund”, thotë Sejdiu.

Krejt në fund sipas këtyre analistëve garat e këtij edicioni do të jenë tejet interesante në të dy frontet, titulli i kampionit dhe Kupën e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat