Pioli: Nuk ka asgjë të pamundur, Milani beson te Champions-i

Futboll

Pioli: Nuk ka asgjë të pamundur, Milani beson te Champions-i

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 14:43
Stefano Pioli

Tri pikët kundër SPAL ndihmuan në qetësimin e situatës te Milani. Kjo ishte fitorja e parë në stolin kuqezi për Stefano Pioli, i cili kishte debutuar 2-2 ndaj Lecce në “San Siro”, ku i iku triumfi nga duart, në limitin e kohës shtesë. Tekniku italian foli për mikrofonat e “Sky Sport” në prag të ndeshjes me ish-ekipin e tij, Lazio, një sfidë e rëndësishme ndaj një rivali për Champions: “Liga e Kampionëve? Ne duhet ta besojmë. Për diçka që është e mundur duhet angazhim ditë e natë që ta arrish. Në fund të sezonit do të bëhen llogaritë e bilancet, por gjithmonë, duke luajtur me shpirt dhe vendosmëri, si një ekip i vërtetë, mund të mposhtim këdo".

Kjo me Lazio do të jetë e para e një serie ndeshjesh delikate për Milanin, të cilat, sipas radhës, do t’i vendosë kuqezinjtë përballë Juventusit në Torino dhe Napolit në “San Siro”. Është e ndaluar të bëhen gabime përsëri, nëse duhet mbajtur gjallë ëndrra europiane: "Unë besoj se Lazio është një ekip shumë i fortë. Ka një formacion titullar, që mund të sfidojë këdo. Kombinon më së miri fizikalitetin dhe cilësinë. Ne duhet të përgjigjemi me fizik, edhe nëse kemi më pak, dhe pa dyshim me cilësi. Nuk mund të mendojmë të fitojmë thjesht duke luajtur ndyrë, duhet të demonstrojmë edhe cilësi”.

Pioli përqendrohet edhe te Suso, një lojtar që dukej se ishte në vështirësi, por e zgjidhi i vetëm ndeshjen kundër SPAL: "Ndërgjegjësimi i të qenit pjesë i një ekipi të rëndësishëm, për të qenë një lojtar i rëndësishëm, i dha mundësinë e reagimit të fortë. Ne kemi mundësinë për të ndryshuar sezonin, me vetëvlerësim dhe besim mund të dalim nga një moment i vështirë. Çfarë bëri Suso është sinjali i një ekipi, që dëshiron dhe përpiqet të përmirësohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat