Kosova publikon listën, kjo do të jetë mungesa e madhe

Futboll

Kosova publikon listën, kjo do të jetë mungesa e madhe

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 10:38
Kosova publikon listën, kjo do të jetë mungesa e madhe

Përzgjedhësi Bernard Challandes, sot do ta bëjë publike listën e tij me futbollistët e ftuar për ndeshjet e muajit nëntor.

Këtë muaj Kombëtarja e Kosovës luan ndaj Çekisë e Anglisë, dy takime vendimtare këto për grupin A në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, raporton Insporti. Lajmi i mirë për Kosovën për ndeshjen ndaj Çekisë është se do të mungojë sulmuesi Patrik Schick, që shihet si një nga pikat më të forta të Çekisë.

Por, lajmi i keq në kampin e Challandes janë mungesat e dy futbollistëve: Bernard Berisha e Mirlind Kryeziu.

Qendërmbrojtësi Kryeziu është lënduar në ndeshjen e fundit që ka zhvilluar me skuadrën e tij FC Zurich.

Ai ka pësuar lëndim muskulor në ndeshjen kundër FC Luganos e cila u zhvillua më 20 tetor.

Sipas faqes zyrtare të klubit zviceran mbrojtësi “dardan” do të mungojë për disa javë.

I lënduar vazhdon të jetë edhe futbollisti tjetër i Zurichut, mesfushori Hekuran Kryeziu, që për herë të fundit me Kosovën u paraqit në mars të këtij viti, në “Fadil Vokrri” kundër Bullgarisë (1:1).

Ndërkaq, mungesë e madhe është ajo e Bernard Berishës.

Berisha ka pësuar një lëndim këtë të shtunë në barazimin 1:1 që Akhmat Grozny e arriti në udhëtim ndaj Dynamo Moskës në xhiron e 15-të të Premier Leagues së Rusisë, derisa u desh të zëvendësohej pas 20 minutave lojë.

Nuk është bërë e ditur se sa do të mungojë Berisha, që ka treguar formë solide këtë edicion në Rusi.

Kujtojmë se Kosovës do t’i mungojë edhe superylli i saj, Arbër Zeneli, që është jashtë fushave që prej lëndimit që e pësoi ndaj Malit të Zi në qershor. Por, ai do të jetë në “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosovë – Angli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat