Celtic “trondit” sërish Lazion, kualifikohen Sevilla e Basel - Bota Sot
Celtic “trondit” sërish Lazion, kualifikohen Sevilla e Basel

Futboll

Celtic “trondit” sërish Lazion, kualifikohen Sevilla e Basel

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 00:41
Celtic “trondit” sërish Lazion, kualifikohen Sevilla e Basel

Tjetër humbje pothuajse identike me atë të 2 javëve më parë për Lazion ndaj Celtic Glasgow. Këtë herë skocezët triumfuan 2-1 brenda në Romë, sërish me përmbysje dhe sërish me një gol në fund, një finalizim i Ntcham në të 95-ën, që kualifikon Celtic në fazën tjetër të Europa League dhe pothuajse eliminon Lazion që tashmë ka shanse fare minimale për të avancuar më tej.

Kjo për meritë edhe të Cluj që mposhti 1-0 Rennes dhe u ngjit në kuotën e 9 pikëve në grupin E, 6 më shumë se Lazio kur mbeten edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

Përsa i përket sfidës së luajtur në Romë ishin bardhekaltrit që kaluan shumë shpejtë në avantazh me të përhershmin Ciro Immobile por Forrest të 38-ën dhe Ntcham në fund përmbysën shifrat në favor të Celtic.

Në grupin A preu biletën për më tej një nga skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni pikërisht Sevilla që triumfoi 2-5 ndaj Dudelange në transfertë dhe u ngjit në kuotën e 12 pikëve për meritë të El Haddadi dhe Dabbur me të parin që realizoi tre herë dhe izraelitin që shënoi dy golat e tij të parë me fanellën e Sevillas.

Vazhdon lufta për vendin e dytë me tre skuadrat e tjera që ndahen nga një pikë pasi Apoel Nicosia mposhti 2-1 me përmbysje në Qipro, azerët e Qarabag.

Në grupin B, mbeti gjithçka e hapur për kualifikimin pas Copenhagen barazoi 1-1 me Dynamon e Kievit ndërkohë që Lugano ndali në një barazim pa gola në Zvicër, suedezët e Malmo.

Në grupin C, Baseli me Taulant Xhakën dhe Edon Zhegrovën në fushë fitoi 2-1 ndaj Getafes dhe siguroi kualifikimin ndërkohë që u fut në lojë për vendin e dytë Krasnodar falë suksesit 3-1 ndaj turqëve të Trabzonspor.

Në grupin D, Sportingu i Lisbonës u ngjit në krye falë suksesit 0-2 në fushën e Rosenborg ndërkohë që Lask Linz në Austri bëri për ujë të ftohtë holandezët e PSV-së të cilët i mposhti 4-1 dhe i barazoi në kuotën e 7 pikëve por duke u rrëmbyer vendin e 2-të.

Në grupin F, Standart Liege u ngjit përkohësisht në vendin e 2-të falë suksesit 2-1 në fund ndaj Eintracht Frankfurt, një rezultat që nuk kualifikon ende as Arsenalin.

Ndërkohë në grupin L, AZ Alkmaar mori një tjetër fitore të thellë këtë herë 0-5 brenda në Kazakistan ndaj Astanës duke u ngjitur në kuotën e 8 pikë me holandezët që janë shumë pranë kualifikimit në raundin e 1/16 të Europa League.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat