Kosovare Asllani ka fituar çmimin e Sulmueses më të Mirë të vitit në futbollin suedez, në mbrëmjen gala të çmimeve, ‘Fotbollsgalan’.
Kjo ceremoni organizohet nga Federata Suedeze e Futbollit dhe nderon më të mirët e vitit.
Sulmuesja 30-vjeçare që luan për CD Tacon (Real Madridin), muajin e kaluar është nominuar edhe për Topin e Artë nga ‘France Football’, në konkurrencën e femrave.
Asllani, në këtë ceremoni ishte e nominuar së bashku me sulmuesen tjetër të CD Tacon, bashkëlojtaren Sofia Jakobsson.
Asllani e Jakobsson përveç çmimit për sulmuesen e vitit, ishin po ashtu të nominuara edhe për çmimin e Futbollistes së Vitit.
Ato ishin ndër futbollistet e nominuara për çmimet “Sulmuesja më e mirë e vitit 2019” dhe “Diamantbollen” – çmim që dhurohet për futbollisten e vitit.
Sidoqoftë, çmimi “Diamantbollen” (Futbollistja e vitit) i takoi mesfushores 34-vjeçare, Caroline Seger.
Te meshkujt Sulmuesi i Vitit u zgjodh Zlatan Ibrahimovici, derisa çmimin “Guldbollen” (Topi i Artë), për futbollistin e vitit, e fitoi mbrojtësi i Manchester United, Victor Lindelof.