Henry kthehet në MLS

Futboll

Henry kthehet në MLS

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 16:15
Henry kthehet në MLS

Thierry Henry, për befasinë e të gjithëve, është emëruar trajneri i ri i skuadrës së MLS, Montreal Impact. Francezi ka nënshkruar marrëveshje dyvjeçare me mundësinë e zgjatjes për një vit tjetër.

Kjo është puna e parë menaxheriale e 42-vjeçarit që kur u shkarkua nga Monaco, në janar, pas vetëm tre muajsh në krye të klubit të Principatës, ku ai arriti vetëm pesë fitore në 20 ndeshje.

Legjenda e Arsenalit, Henry, e njeh mirë MLS, pasi e mbylli karrierën e tij pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në radhët e New York Red Bulls.

“Është nder i madh të bëhesh trajner i Montreal Impact dhe të kthehesh në MLS,” – tha Henry pas emërimit të tij.

“Është një ligë që unë e njoh mirë, pasi kam kaluar një periudhë të karrierës sime këtu. Të jesh në Quebec, në një qytet me një trashëgimi të madhe multikulturore, është diçka e jashtëzakonshme. Unë gjithmonë e kam pasur në kokë këtë klub dhe tani jam këtu.”

Henry zëvendëson Wilmer Cabrera, i cili u largua nga Impact muajin e kaluar, pasi klubi vendosi të mos i rinovonte kontratën. Montreali e përfundoi i nënti sezonin e rregullt në Konferencën e Lindjes në MLS.

Ka disa fytyra të njohura te Montreal për Henry, ish-shoku i tij në përfaqësuesen e Francës, Bacary Sagna, dhe Bojan Krkic, me të cilën ka luajtur te Barcelona.

Henry do të paraqitet para medieve të hënën dhe do t’i marrë zyrtarisht frenat e skuadrës në mes të janarit, kur nisin përgatitjet për sezonin e ri në MLS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat