Pique iu përgjigjet pyetjeve "1 milion dollarëshe": “El Classico” nuk duhej shtyrë

Futboll

Pique iu përgjigjet pyetjeve "1 milion dollarëshe": “El Classico” nuk duhej shtyrë

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 14:24
Gerard Piqué

Gerard Piqué kaloi nëpër mikrofonat e "El Partidazo", ku foli për disa çështje, që lidhen me Barcelonën, por jo vetëm. Pyetjes mbi shtyrjen e “El Classico”, mbrojtësi iu përgjigj: “Gjithmonë ekziston një lloj ankese. Kalendari është ai që është. Ndeshja duhej të luhej ditën kur ishte përcaktuar. Nëse do të kishte qenë e kundërta, Barça do të ishte ankuar (për më pak pushim). Lojtarët janë mësuar të luajnë ndeshje dy, ose tri ditë larg njëra-tjetrës. Për ndeshjet Barça-Real Madrid, gjërat zmadhohen. Kush avantazhohet me këtë shtyrje? Nuk e di, por më pëlqen të luaj natën e jo ditën. Të gjithë kanë ritualin e tyre. Me siguri, nëse shikojmë herët e tjera, kemi pasur më pak pushim se Real Madridi. 

Ne nuk propozuam që të shtyhej ndeshja. Kjo filloi me Tebas, që propozoi të luanim në Madrid dhe nga aty kaluam te 18 dhjetori. Ne nuk ankohemi. Asgjë nuk do të ndodhte ditën kur duhej të luanim. Në një moment specifik kishte njerëz që u rebeluan kundër policisë, por asgjë nuk ndodhi në “Camp Nou” dhe jam i bindur se asgjë nuk do të ndodhte. Nëse i analizoni, ato ishin protesta që ndodhin kudo”.

Pyetje mjaft ngacmuese ishte kjo për Pique: Kur skuadra fiton, meritat janë të Messit, ndërsa kur humbet, faji është i Valverde… Ja përgjigjja e qendërmbrojtësit: “Kur ndeshja mbaron, unë largohem. Në Twitter zbuloj diçka. Trajneri përpiqet të ngulisë idetë e tij dhe ndonjëherë shkon mire, ndonjëherë jo aq mirë”. Situata e Griezmann për Pique do të përmirësohet: “Tek Atlético Madrid luanin për të. Te Barça ndryshon kjo gjë. Ai duhet të kërkojë hapësirën e tij dhe pak nga pak po e gjen. Talenti dhe cilësia nuk i mungon”. Po rinovimi i Messit? “Është diçka mes Leo dhe klubit, nuk ka asnjë rrezik”, - thotë mbrojtësi.

Disa fjalë edhe për Rakitic, që nuk po luan këtë sezon: “Nëse hyn nën lëkurën e tij e kupton pse është i irrituar. Kur nuk luani është e vështirë. Çdo ditë je në provë dhe duhet të dëshmosh se je më i mirë se tjetri”. Pique vihet edhe para disa zgjedhjeve: “Mbappé apo Neymar? Të dy janë lojtarë të shkëlqyer. Ata mund të luajnë në çdo klub të botës. Nadal apo Federer? Rafa. Cruyff apo Guardiola? Me Cruyff kalova pak kohë, Guardiola ishte përcaktues në karrierën time. Champions apo Kupa e Botës? Ndjenja e Champions-it të parë është shumë e veçantë. Kupa e Botës është e vetmja që Spanja ka fituar, ndaj ndjesitë kanë qenë mahnitëse. Messi apo Maradona? Mund të diskutoni se cili ka më shumë talent. Mourinho apo Klopp? Më pëlqejnë të dy. Klopp punon dhe bën gjëra bashkëpunuese me ekipin e tij. Si njeri, Mourinho më pëlqen. Në epokën e rivalitetit mes dy klubeve ndoshta ishim paksa antagonist, por më pas, kur u largua nga Real Madridi, kemi biseduar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat