Janë luajtur p dy ndeshjet e fundit në grupin B, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2020 në futboll.
Portugalia ka mposhtur me rezultat 2:0 Luksemburgun në udhëtim, në një ndeshje aspak të lehtë për luzitanët. Ishte Bruno Fernandes i cili i dha avantazhin të tijve, teksa realizoi në minutën e 39-të, pas një pasimi shumë të mirë të marrë nga Benardo Silva. Vendasit rrezikuan disa herë portën e Portugalisë, por nuk ia dolën të gjenin golin e barazimit.
Ishte i zakonshmi Ronaldo që i vuri kapakun kualifikimit, teksa shënoi në minutën e 86’, pas një topi të ngelur në zonë. Me këtë fitore luzitanët ia dolën të kualifikohen, duke lënë në shtëpi Serbinë. Pikërisht këta të fundit nuk shkuan më shumë se barazimi 2:2 me Ukrainën.
Tadiq në minutën e 9’ dhe Mitroviç në minutën e 56’, ishin autorët e golave për serbët. Ndërsa për Ukrainën shënuan Jaremshuk në minutën e 33’, dhe Besiedin në minutën e 93’. Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, Ukraina kualifikohet si e para e grupit me 20 pikë dhe Portugalia e dyta me 17 pikë, ndërsa Serbia e mbyll në vendin e 3-të me 14 pikë.
Grupi B
Luksemburgu-Portugalia 0:2
Serbia- Ukraina 2:2
Tabela
1. Ukraina 8 6 2 0 20
2. Portugalia 8 5 2 1 17
3. Serbia 8 4 2 2 14
4. Luksemburgu 8 1 1 6 4
5. Lituania 8 0 1 7 1