Sermaxhaj: Synimi im, i klubit dhe lojtarëve është që të rikthehemi në Superligë 

Futboll

Sermaxhaj: Synimi im, i klubit dhe lojtarëve është që të rikthehemi në Superligë 

Nga: Kemajl Goca Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 19:06
Genc Sermaxhaj

Puna me gjeneratat e reja është një përgjegjësi por edhe kënaqësi për ish futbollistin, trajnerin Genc Sermaxhaj, që dikur me sukses ka luajtur në KF Gjilani, në Dritë, në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe ka qenë edhe reprezentues i Kosovës U-21 dhe Kosova A. Sermaxhaj me sukses të madh po e drejton klubin Drita U-19 nga Gjilani dhe po arrin rezultate të lakmueshme, me pretendime që të ngjiten në Superligën e Kosovës.

Image

Ai punon me zell të shtuar me djelmoshat dhe gjithnjë në kërkim të lojës më të përsosur. Sermaxhajt i bëhet zemra mal që ka një armatë talentesh në klub, që në një të ardhmen jo vetëm që do të janë bartës të lojës në ekipin e seniorëve por edhe mund të luajnë edhe në ligat më të forta evropiane. Drita është në pozitën e dytë me 18 pikë, një më pak se lideri Vushtrria në Ligën e parë të Kosovës U-19.  

Image

Ajo që e karakterizon Dritën U-19 nga ekipet tjera, ka një mbrojtje shumë të fortë dhe dëshmia më e mirë është se për tetë ndeshje nuk ka pësuar më shumë se pesë gola por ka edhe sulmin më efikas, ky është treguesi më i mirë për punën e madhe që bëhet në këtë kolektiv në krye me Sermaxhajn. Drita U-19 ka arritur 6 fitore e 2 humbje deri me tash, ka shënuar 22 gola e pësuar vetëm 5. Sermaxhaj flet për atmosferën dhe punën që bëhet dhe konkurrencën në këtë kategori.     

“Bota sot”:  Si e sheh këtë brez dhe sa jeni të kënaqur me ta?
Genc Sermaxhaj:
Jam jashtëzakonisht i kënaqur me këta futbollistë të rinj të cilët në këtë sezon po dëshmojnë cilësitë e tyre që kanë dhe po tregojnë dëshirë për punë dhe disiplinë maksimale. Jo vetëm tek Drita por edhe ekipet tjera me të cilat deri me tani jemi përballë, kam vërejtur se kanë individ të dalluar të cilët mund të jenë e ardhmja e futbollit tonë shumë shpejt.

“Bota sot”: Drita është në Ligën e parë dhe në vend të dytë me 18 pikë, një më pak se Vushtrria. A është një konkurrencën e fortë?
Genc Sermaxhaj:
Konkurrenca i bie të jetë e fortë sepse niveli i ekipeve ngjason mes vete dhe faktorët e vegjël ndikojnë në rezultat e renditje, por sa i përket FC Drita U19, ky është viti i tretë që garon në Ligën e Parë dhe synimi im, i klubit dhe lojtarëve është që të rikthehemi në Superligë dhe jemi në rrugë shumë të mirë.  

Image

Duhet potencoj se këtë sezon kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje si vendas dhe shtatë ndeshje tjera si mysafir, ngase shorti ka qenë i tillë, por kemi tubuar pikë të mjaftueshme dhe qëndrojmë edhe më tutje në pozitën e dytë.  

Ajo çka na veçon më së shumti është loja e bukur që kemi shfaqur nga ndeshja e parë e deri me tani dhe jam i sigurt së përmes kësaj ndeshje të bukur po arrijmë edhe rezultate të kënaqshme, natyrisht për këtë i përgëzoj lojtarët që po bëjnë punë shumë të mirë dhe të gjithë së bashku po përpiqemi të jemi sa më profesionist në punën që bëjmë.

“Bota sot”: A janë kushtet e mira?
Genc Sermaxhaj:
Në klubin e Dritës kushtet janë të kënaqshme, kemi mbështetjen e drejtorit të shkollës z. Beqir Rukovci, anëtarëve tjerë të kryesisë dhe bashkarisht po përpiqemi të bëjmë më të mirën që këta futbollistë së pari t’i mësojmë për lojën e futbollit e me pas edhe ti realizojmë objektivat tona individuale dhe ekipore.

“Bota sot”: A shpresoni se Drita ka fuqi për të arritur si kampion i Ligës së parë dhe çka e dallon nga ekipet tjera?
Genc Sermaxhaj:
Fatmirësisht ne kemi arritur të shkojmë në përgatitje në Banjën Onix Pejë falë ndihmës së klubit dhe kemi arritur të përgatitemi mjaft mirë, po ashtu kemi filluar me kohë përgatitjet dhe kjo na ka ndihmuar shumë.

Image

Në ndeshjet si mysafir udhëtojmë me autobus të klubit dhe çdo javë dërgojmë lojtarë edhe tek ekipi i parë në prova. Ajo çka na dallon nga ekipet tjera janë përparësia në organizimin e ndeshjeve dhe raportet e afërta me ekipin e parë, si dhe puna jonë e veçantë, pra mënyra e lojës që ne e aplikojmë na bën të veçohemi nga të tjerët dhe për këtë duhet edhe më shumë përkushtim që të përvetësojmë lojën tonë dhe të jemi më të disiplinuar në detyrat taktike.

“Bota sot”: Sa është vështirë të luash si mysafir, a ka presione?
Genc Sermaxhaj
: Jam shumë i kënaqur me pritjen e ekipeve vendase, po ashtu edhe me referimin në këtë ligë që vërtet me ka lënë shumë përshtypje deri tani. Presione nuk ka, nëse je më i mirë e mund kundërshtarin dhe në fund të zgjatet dora. Ndryshimi tek gjenerata e trajnerëve, lojtarëve etj. ka bërë që të vetëdijesohemi, të edukohemi dhe gjithçka ta marrim me sportivitet.

Loja e futbollit ka tri rezultate dhe ato arrihen vetëm me punën të cilën ato e kanë bërë, prandaj i përgëzoj dhe falënderoj të gjithë që deri tash sidomos ndaj nesh kanë treguar respekt dhe lojë fer e shumë korrekte.

Image

“Bota sot”: A keni lojtarë që mund t'i veçoni që pritet shumë në të ardhmen?
Genc Sermaxhaj:
Po kemi disa lojtarë që mund të japin më shumë nga vetja e tyre dhe momenti i tyre është tani, por e përmenda edhe më parë që thuajse çdo javë dërgojmë lojtarë tek ekipi i parë për prova dhe besoj të ndahen të kënaqur. Pa dashtë me veçuar dikënd për hir të atmosferës shumë të mirë që e kemi brenda, unë uroj që këta lojtarë të shfrytëzojnë kohën e tyre që të mësojnë sa më shumë nën drejtimin tim dhe ato udhëzime t’i shfrytëzojnë në të ardhmen e tyre.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Ligës së Parë U-19?
Genc Sermaxhaj:
Ligës së Parë U-19, por edhe asaj të Superligës, i duhet më shumë mbështetje nga të gjithë, ndoshta edhe pak fokus e marketing, sepse është mosha e fundit para se ata të kalojnë në ekipin A, kështu që organizimin të jetë edhe më i mirë, të shtohet edhe më shumë serioziteti dhe besoj që do të kemi më shumë progres të gjithë së bashku.

“Bota sot”: Sa është vështirë të punosh si trajner me kategori të reja, a jeni ndje me komod si lojtar a tani si trajner?
Genc Sermaxhaj:
 Vitin e kaluar kam udhëhequr U15, dhe tani jam tek U19. Të them te drejtën shume më mirë si trajner. 
Jemi me fat që në KF Drita kemi një njeri i cili edhe si futbollist i jashtëzakonshëm në kohën e tij, e tani edhe si koordinator i kësaj shkolle z. Beqir Rukovci, me udhëzimet dhe bashkëpunimi që ai bën me ne është shumë profesionale, dhe kjo është për t’u vlerësuar. Është njeriu i duhur për postin që e ka.

“Bota sot”: Çfarë dëshiron nga lojtarët?
Genc Sermaxhaj
: Uroj që futbollistët e mi të vazhdojnë po njësoj si nga dita e parë, të punojnë shumë, të japin çdo gjë nga vetja e tyre për zhvillimin e tyre individual si primare, pastaj edhe ti shërbejmë klubit ku ushtrojnë që në të ardhmen të gjithë t’ju gëzohemi të arriturave të tyre.

Image

Jemi në rrugë të mirë dhe shpresoj shumë që në fund të kampionatit të inkuadrohemi në Superligë për të cilën nuk dyshoj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat