Shkupi rezultoi të jetë i pafat

Futboll

Shkupi rezultoi të jetë i pafat

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 16:23
Shkupi rezultoi të jetë i pafat

FC Shkupi rezultoi të jetë i pafat në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut ndaj Akademia Pandevit, pasi përkrahë dominimit në fushë, rasteve të shumta dhe humbjes së një penalltie në pjesën e parë, ndëshkohemi në minutat shtesë me një gol nga mysafirët që u dha fitoren. Në këtë duel për herë të parë luajti mbrojtësi i ri Ardit Iljazi.

Fillimi i ndeshjes solli dy raste nga të dyja anët, me mysafirët që tenuan përmes Maneskit në minutën e 2-të, ndërsa për bardheblutë Fatjon Jusufi nuk arriti të shfrytëzojë rastin që kishte pranë portës së kundërshtarëve. Minuta e 30-të na solli shumë afër golit, kur pas një prekje me dorë nga ana e futbollistëve kundërshtarë, akordohet penallti në favorin tonë, por Marin Jurina nuk tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe shifrat mbeten të pandryshuara. Deri në fund kishim edhe disa raste, por pa finalizim, duke shkuar kështu në pushim me rrjeta të paprekura.

Fraksioni i dytë kaloi nën dominimin tonë, me lojë dhe shanse të njëpasnjëshme. Në të 61-tën, Jurina kishte tentim me kokë, por shpëtoi portieri i mysafirëve Çubrakoviq. Ky i fundit pas tre minutave u tregua sërish vendimtar kur arriti të mbrojë gjuajtjen e fortë të Dembos. Në të 73-tën, sërish Jurina kishte rast ideal, kur pranoi një krosim nga Sergio, por sulmuesi jonë si duket ishte i pafat në këtë sfidë, pasi gjuajtja e tij sërish nuk gjeti kuadratin e portës. Në vijim bardheblutë vazhduan me ritëm të njejtë, duke kërkuar golin, ndërsa mysafirët rastin e vetëm gjatë pjesës së dytë e shfrytëzuan duke na ndëshkuar me gol në minutat shtesë me Riste Temelkovin që i dha fitoren miqve në këtë takim të parë në kuadër të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Gjithsesi, udhëtuesi për në gjysmëfinale do të përcaktohet me 4 mars të vitit të ardhshëm, ku na presin edhe 90-të minuta lojë në Strumicë kundër Akademia Pandevit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat