Shkëndija baras Rabotniçkin

Futboll

Shkëndija baras Rabotniçkin

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 17:02
Shkëndija baras Rabotniçkin

Shkëndija nga Tetova ka luajtur baras 1:1 me Rabotniçkin e Shkupit, në takimin e parë të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë së Veriut në futboll. Trajneri Ernest Gjoka në fushë hodhi formacion të kombinuar, duke lënë jashtë Besart Ibraimin dhe Mexhit Nezirin, ndërsa në pankinë u lanë A. Ibraimi, Alimi dhe Imeri.

Përkundër ndryshimeve, qasja në lojë mbetej sulmuese dhe pas vetëm tetë minutave do të vinte ndryshimi. Totre harkoi gjatë nga gjuajtja e lirë, Radeski me kokë kthen topin para portës ku Junior me goditje të fortë shënon për 1:0. Shkëndija vazhdoi të sulmojë dhe tre minuta pas epërsisë Fazli tentoi me kokë pas harkimit të Micit, mirëpo goditja ishte qendrore dhe nuk shqetësoi portierin Jankov. Pas kësaj kuqezinjtë pa nevojë u tërhoqën dhe kundërshtari fitoi hapësirë për të sulmuar duke u kanosur rrezikshëm me Kordobën goditja me kokë e të cilit prek traun e portës dhe shkon në fundore. Gjithsesi dukej se Shkëndija kishte kontroll të ngjarjeve në terren dhe për të pësuar gol duhej gabimi i portierit Zahov që ngatërrohet me topin dhe miqtë me anë të Stojkovit sjellin simetri në rezultat.

Radeski me një të djathtë provoi të kthejë epërsinë, mirëpo kontrollon sigurtë topin portieri, Jankov. Fillimi i pjesës së dytë solli një mundësi për Radeskin që vonohet për pjesë të sekondës dhe portieri kundërshtarë, Jankov pastron rrezikun. Shkëndija e pakënaqur me rezultatin 1:1 vazhdoi të sulmojë dhe krijoi disa mundësi, që fatkeqësisht mbetën të pakonkretizuara me atë që në dy raste arbitri mundej dhe duhej të tregonte penalti për kuqezinjtë pas lojës me dorë të miqve në zonën e rrezikut.

Zeni Husmani në minutën e 63-të godet fortë skaj portës, ndërsa katër minuta më vonë Jankov pret bukur goditjen e lirë të Alimit. Në anën tjetër Herera nga gjuajtja e lirë nuk gjen kuadratin, për të kaluar te rasti i Bejtullait që për pak nuk shënoi me kokë, pas një harkimi nga gjuajtja e lirë. Në kohën shtesë kishim shanse me Radeskin dhe Alimin, por i pari godet skaj portës, ndërsa Jankov me intervenim të bukur neutralizon tentimin e numrit ‘5’.

Kështu ndeshja mbyllet me barazim 1:1 dhe gjithçka rreth skuadrës që do të avancojë në gjysmëfinale të Kupës do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Shkup e paraparë për datën 4 mars të vitit 2020.

Shkëndija-Rabotniçki 1:1 (1:1)

Stadiumi i qytetit në Tetovë.
Shikues: 500.
Gjyqtar: Bobi Veliçkov.
Shënues: Junior (8′) - Stojkov (33′).
Karton i kuq: Herera (90′).
Shkëndija: Zahov, Mici, Bejtullai, Totre, Fazli, Radeski, Murati, Zejnullai (Alimi 59′), Junior (Nafiu 76′), Çeshmexhiev, Husmani (A. Ibraimi 67′). Trajner: Ernest Gjoka.
Rabotniçki: Jankov, Velkovski (Da Silva 89′), Iliq (Markoviq 46′), Herera, Petkovski, Acovski, Siljanovski (c), Stojkov (Fazliju 82′), Kordoba, Jevtoski, Sharkoski. Trajner: Majranço Andreski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat