Vëllaznimi godet FFK-në: Turp për shpifjet në raportet zyrtare

Futboll

Vëllaznimi godet FFK-në: Turp për shpifjet në raportet zyrtare

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

Vëllaznimi ka reaguar ashpër pas inicimit të procedurës disiplinore nga Federata e Futbollit të Kosovës, pas ndeshjesn ndaj Onixit në Gjakovë.

Klubi kuqezi ka shkruar në faqen zyrtare që sivjet s’ka lënë kush pa fituar në Gjakovë dhe të gjithë kundërshtarët janë përcjellë me duartrokitje.

Më poshtë njoftimi i plotë i Vëllaznimit:

“Klubit të Futbollit “Vëllaznimi” thuajse nuk po i mjaftojnë problemet e shumta financiare e organizative me të cilat u përball gjatë tërë stinorit vjeshtor, por atyre po i shtohen edhe sjelljet e çuditshme dhe të njëanshme të disa personave zyrtar të ndeshjeve të këtij klubit. Kështu ishte edhe në ndeshjen e të dielës (java 16-të) Vëllaznimi-Onix, të cilën, siç dihet, klubi ynë e fitoi më 1:0.

Për shkak të përshkrimit jo real, të njëanshëm dhe tendencioz të përsonave zyrtar të ndeshjes (vëzhguesit dhe gjyqtarit), të asaj që ndodhi në këtë ndeshje, Komisioni i Garave i FFK-s ka iniciuar madje 5 procedura disiplinore kundër klubit tonë, në ndërkohë që klubi mysafir ka shpëtuar pa “ther në këmbë”!!! Vëzhguesi e gjyqtari thuajse nuk i panë (apo me qëllim nuk deshën ti shohin) provokimet e vazhdueshme dhe shumë të pahijshme të mysafirëve, duke filluar nga futbollistët e duke përfshirë këtu edhe stafin tjetër të klubit mysafir.

Të përkujtojmë se gjatë kësaj vjeshte, në Gjakovë, ndeshjet i kanë fituar 2 Korriku, Malisheva e Vllaznia (Pozharan) dhe ato kanë kaluar siç është më së miri, bile, në disa raste, të përcjella edhe me duartrokitje. Nëse ka qenë kështu në ato ndeshje kur klubi ynë ka pësuar humbje të dhimbshme, pse do të duhej të jetë ndryshe në ndeshjen me Onixin të cilën e fituam. Mirëpo, mysafirët, të cilët, dukej qartë, kishin ardhur me ambicie për të fituar, kur e vërejtën se këtë nuk mund ta arrijnë, filluan të provokojnë në të gjitha mënyrat e mundshme deri te ato veprimet më të pahijshme të cilat nuk u duron as letra në të cilën po shkruajmë!

Si është e mundur që vëzhguesi e gjyqtari, futjen e trajnerit tonë në fushë për të qetësuar situatën pas përjashtimit të pamerituar të futbollistit Vokshi, ta trajtojnë si shkelje të rëndë të disiplinës dhe të njëjtin ta ndëshkojnë me karton të kuq. Si është e mundur që vëzhguesi ti trajtoi si persona zyrtar të klubit mysafir ata që ishin në tribuna e ku u kacafytën me publikun. Për të evituar përsëritjen e kacafytjeve, zyrtari për siguri i klubit tonë i fton të njëjtit të vendosen në hapësirën e paraparë për mysafirë nderi. Por edhe nga aty, personat që vëzhguesi i trajton si zyrtar të klubit mysafir, vazhdojnë me sjellje josportive, provokime dhe konflikte, për ç’arsye, disa prej tyre, policia i dërgon në stacionin policor. Vallë a nuk e di vëzhguesi (mbase nuk dëshiron ta di kur është në pyetje Vëllaznimi) se persona zyrtar të klubit trajtohen ata që janë të regjistruar në protokollin e ndeshjes, e jo ata që qëndrojnë në publik me shikuesit!!!

Ka edhe aq shumë të pavërteta e shpifje në raportet zyrtare nga kjo ndeshje, sa që me të drejtë na nxit të shtrojmë pyetjen – deri kur do të vazhdon ky trajtim i padrejtë i klubit tonë, por edhe i klubeve të tjera gjakovare? Kujt po i pengojnë ato? Apo mbase kështu veprohet sepse ato (Vëllaznimin dhe klubet e tjera gjakovare) nuk ka kush t’i mbron në FFK. Nuk ka kush t’i mbron edhe për faktin se në asnjërin nga komisionet e shumta të FFK-s që kanë të bëjnë me gara, asnjë anëtar nuk është nga Gjakova! Duket e pabesueshme por është shumë e vërtet! Kjo është shumë e pakuptueshme kur dihet se në këtë trevë me traditë shumë të gjatë të futbollit, ka numër të madh të punëtorëve të mirëfilltë sportiv”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat