Të jesh apo mos të jesh, 'njeriu që bëri epokë'

Futboll

Të jesh apo mos të jesh, 'njeriu që bëri epokë'

Nga: Avdi Krasniqi Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 16:13
Beqir Aliu

Në foto një njeri i Besës, moralit, kontributit, rezistencës dhe atdhedashurisë ndaj Kosovës! Njeri që në kohën më të vështirë kur u pavarësua futbolli i Kosovës, ky njeri ishte njeri prej atyre që dha kontribut shumë të madh për sot që të luhet shqip futbolli, edhe pse futbolli zhvillohej nën tytat e automatikëve të milicisë serbe, zotëri në fjalë ishte kryetar i KF Prishtina dhe me dinjitet e udhëhoqi këtë klub edhe për të njëjtin shkriu tërë pasurinë që kishte për të mirën e futbollit.

Ishte më së i përndjekuri nga milicia serbe e shpesh herë edhe i arrestuar e maltretuar fizikisht, por tortura që i bënë milicia serbe këtë punëtor të devotshëm sportiv e bënin më të fortë edhe më të fortë në idealin e tij që një ditë futbolli i Kosovës do e sheh dritën e vetë edhe pse ajo ishte shumë larg e shihej vetëm pak në tunelin e gjatë me dhjetëra kilometra, por të vendosur, të bashkuar e i dashur për të gjithë ky njeri arriti të vlerësohet ikona e kontributit dhe sakrificës në KF Prishtina, ky punëtor sportiv ka emër, ky llogaritej si baba i futbollit në KF Prishtina, ky punëtor i devotshëm sportiv ka emër e ky është: Beqir Aliu.

Ky punëtor i devotshëm ishte, është edhe do të jete shembull, si kontribuohet në luftë kundër çetnikëve, duke qenë përball shumë aksioneve për të ruajtur identitetin e futbollit të Kosovës dhe KF Prishtinës.

Nuk ishte lehtë të jesh kryetar klubi në kohën e pavarësimit të futbollit, nuk ishte lehtë të jesh as donator i klubit në atëkohë të pakohë e këto të dy epitete i kishte zotëri: Beqir Aliu. Ndihem krenar që isha bashkëveprimtar i këtij punëtori të devotshëm sportiv, e falënderoj shumë që i dha mbështetje KF Ferronikelit dhe KF Drenica, saqë me Beqir Aliun Drenica ishte me e fortë në FFK. E thash njëherë që nuk ishte lehtë të jesh kryetar klubi, ku e tërë përgjegjësia bije mbi supet e tij, ishte frikë që të arrestohen futbollistet e ri të cilët nuk e kishin krye shërbimin ushtarak e të dërgohen me dhunë ne ushtrinë serbe, duke pas parasysh këtë situatë përgjegjësia e kryetarit të klubit ishte shumë e madhe, ai me gjoks si Mic Sokoli i përballoji të gjitha dhe sot me të drejt e vlerësoji si ikona e sakrificës dhe rezistencës ndaj çetnikëve serb.

Në vitet (1991-1998), në atëkohë të pakohë, ishte shumë vështirë me gjet njerëz të vendosur, njerëz që interesat e futbollit të jenë para interesave familjare, ishte vështirë me gjet njerëz që në rast se milicia serbe e ndërprenë ndeshjen e tenton ti arrestoj lojtarët edhe referët, që të dal para milicisë e ta marr mbi supet e veta organizimin e lojës të një lige futbolli të pavarur nga Serbia e cila me çdo kusht luftonte ta shuaj në tërësi, duke u frikuar prej sportistëve se ata nuk po ushtrohen për të bërë gara sportive por për t’u përgatit fizikisht e psiqikisht për luftë, frika e tyre u bë reale atëherë kur atdheu ishte në rrezik e kërkoj ti bashkohen aradhave të UÇK-së, sportistët e Kosovës ishin në ballë të luftës, e shumë prej tyre ranë dëshmor për Liri të Kosovës: në radhët e dëshmorëve ishte edhe ish lojtari i Drenicës e i Ferronikelit e pastaj edhe i Prishtinës Bajram Aliu e shumë e shumë dëshmor të tjerë të cilët e lanë lojën e futbollit për të rënë në dëshmor e mos vdekur kurrë.

Beqir Aliu ishte kontribues i madhe i luftës së UÇK-së, përveç vëllaut Bajram Aliu që ishte ushtar i UÇK-së, familja Aliu e lëshoj shtëpinë e tyre të jete spital ushtarak ku shëroheshin ushtarët e plagosur, Beqir Aliu i afroi UÇK-së tërë pasurinë që kishte që ajo ti falet atdheut, njerëz të tillë janë shumë të rrallë mos të themi që nuk ekzistojnë fare. Kur e mora vendim të jap këtë shkrim për opinion sportiv ndjeva përgjegjësi të madhe sepse shkruan për një njeri të vogël por me vepra të mëdha, si do qoftë ky shkrim do të jete vetëm një pikë uji në deti se fjalët i bart era e shkrimi lënë gjurmë e unë kisha me falënderuar për të gjitha duke i thënë zotëri Beqir Aliu e tërë Drenica krenohem me veprën tuaj.

Unë kam menduar që kohë e pa kohë ishte vetëm ajo kur futbolli luhej nën tytat e automatikëve të milicisë serbe, kurrë nuk kam besuar se edhe sot erdhi e njëjta kohë, kohë e pakohë.

Kur e them këtë duhet ta arsyetoj pa drejtuar gisht nga shtëpia e futbollit të Kosovës, FFK dhe nga mimistria e sporteve të Kosovës, të cilët kanë ra në gjumë, shohin apo nuk shohin fare dëgjojnë apo janë të shurdhër, shohin apo janë të verbër. E them këtë me përgjegjësi më të madhe se nuk doli një institucion sportiv që dekoron njerëzit e merituar e mos të them se fatkeqësisht edhe i kanë braktisur e harruar, punëtorët të devotshëm sportiv si Beqir Aliu e shumë të tjerë, marri është të anashkalohen sepse ata ishin njerëzit me të devotshëm që i kishte Kosova e para luftës.

Kush dëshiron me qenë i njoftuar edhe me shumë për këtë punëtor të devotshëm sportiv ju lutem lexoni edhe ndërmjet rreshtave për juve që nuk e keni njohur këtë njeri ndërsa për bashkëpunëtoret e tij sportiv që janë të shumtë të gjithë ata e dijnë edhe me mirë kontributin e Beqir Aliut edhe shumë Beqirave tjerë.

Kërkoji falje për ndonjë detal të harruar e besoj se kam harruar shumë e shumëçka të qes në dritë por shpresoj se shkrimi im do të plotësohet nga të gjithë ata që e njohin Beqir Aliun, respekt për jetë për familjen Aliu.
Autori është kryetar nderi i KF Ferronikelit nga Drenasi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat