“Rilindja” e Italisë, favoritët e Champions-it, golat e Icardi…; Verratti ka përgjigje për të gjitha - Bota Sot
“Rilindja” e Italisë, favoritët e Champions-it, golat e Icardi…; Verratti ka përgjigje për të gjitha

Futboll

“Rilindja” e Italisë, favoritët e Champions-it, golat e Icardi…; Verratti ka përgjigje për të gjitha

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 15:08
Marco Verratti dhe Mauro Icardi

Marco Verratti është gjithnjë e më shumë lider dhe i pjekur, duke synuar objektiva të rëndësishëm me kombëtaren dhe PSG. Me klubin parizien rinovoi deri në vitin 2024. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, fantazisti italian nënvizoi: "Mund të ishte shansi i fundit për të ndryshuar mjedis, por unë mendoj se të fitosh me PSG është më e bukur. Unë gjithmonë e kam thënë: nëse ndihem mirë në një vend, nuk kam nevojë pse të shkoj diku tjetër. Jam i lumtur që kam nënshkruar përsëri me Leonardo, ai më solli këtu në vitin 2012. Me atë që ai di për futbollin, ne si skuadër mund të shkojmë larg”.

Si keni ndryshuar si lojtar dhe si njeri në Paris?
Kam ardhur 18 vjeç këtu, në momentin më të mirë të jetës. Të jetuarit në Paris, duke ardhur nga një qytet i vogël, më ka njohur me kultura të reja. Lidhja është e forte me qytetin, sepse këtu u bëra baba dy herë. Dhe pastaj, kur luani në majë, duke sfiduar kundërshtarë shumë të fortë, duke u stërvitur me ata që kanë bërë, ose do të bëjnë historinë e futbollit, rritesh shumë edhe si futbollist.

Edhe Icardi erdhi në verë nga Italia te PSG…
Ai ka shënuar më shumë se 100 gola në Serie A, ka qenë kapiten i Interit. Është rrahur me periudha të vështira, ndaj sigurisht që është një ndihmë e shkëlqyer për ne. Ai u integrua menjëherë te PSG.

Icardi, Neymar, Mbappé dhe Verratti… A është kjo PSG pretendente për Champions?
Ne jemi ndër favoritët e këtij kompeticioni, por në Ligën e Kampionëve ka edhe ekipe të tjera, ku luajnë emra si Messi, Suarez, Griezmann, Busquets, De Jong. Gjëja e rëndësishme është të japësh gjithçka që të mos kesh keqardhje më pas.

Mes favoritëve llogaritet edhe Juventusi, pavarësisht se nuk po shprehet mirë me Sarrin trajner…
Juve kurrë nuk ka luajtur futboll kaq argëtues. Pastaj, bardhezinjtë nuk i kanë lojtarët, që Sarri kishte te Napoli. Ai ka lojtarë të shkëlqyeshëm, por nuk mund t'iu kërkoni të ndryshojnë stilin e tyre tani. Juve mbetet një ekip solid, me shumë përvojë, i cili kurrë nuk heq dorë.

Italia po rilind me trajnerin Mancini…
Ai e kuptoi që, pasi kombëtarja preku pikën më të ulët, ishte e nevojshme të ndërtonte diçka të re. Ai ka rikthyer entuziasmin, u ka dhënë besim lojtarëve, duke shfrytëzuar cilësitë e gjithsecilit. Para kësaj nuk ndodhte kjo. Trajneri ka krijuar një identitet të fortë me ide të thjeshta. Është njeriu i duhur për këtë pozicion.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat