Dy humbje radhazi në kampionat kundër Bayer Leverkusen dhe Borussia Monchengladbach. Bayern Munich nuk po kalon një moment të mirë në Bundesliga. Pas shkarkimit të Kovac dhe konfirmimit të zëvendësit Flick, u duk sikur situata u përmirësuar, por efekti i ndryshimit ka zgjatur pak.
Lothar Matthaus, legjenda e futbollit gjerman dhe e bavarezëve, ka folur për arsyet e krizës së kampionëve të Gjermanisë, duke mos i kursyer thumbimet.
"Kundërshtarët nuk kanë më frikë kur përballen me Bayern-in", ka thënë Matthaus për Sky Sports. "Edhe nëse kundërshtarët pësojnë gol, nuk e humbin besimin se mund ta fitojnë ndeshjen me përmbysje. Dhe disa arrijnë ta bëjnë. Kjo ishte një gjë e rrallë në të kaluarën".
"Nëse Bayern do të vazhdojë të dobësohet dhe Gladbach, Leipzig ose Dortmund vazhdojnë të luajnë kaq mirë, do të ketë shumë probleme në fundin e sezonit. Me përjashtim të Bayern-it dhe tifozëve të tyre, të gjithë janë të lumtur".
Bayern Munich mban vendin e shtatë në renditjen e kampionatit dhe është shtatë pikë larg kreut të Bundesliga-s, që mbahet nga Borussia Monchengladbach.