Abazaj e Gavazaj në formë - Bota Sot
Abazaj e Gavazaj në formë

Futboll

Abazaj e Gavazaj në formë

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 19:12
Abazaj e Gavazaj në formë

Kristal Abazaj pas një vere të vështirë ku deri në mbylljen e merkatos qëndroi me valixhe në duar pa e ditur as ai vetë se ku do të luante, vendosi deri diku edhe i detyruar nga rrethanat, të rikthehej në Kategorinë Superiore vetëm një vit pasi u largua me shumë bujë drejt Anderlechtit.

Djaloshi me origjinë nga Tropoja dhe i rritur në Tiranë, nuk i la asgjë mangët stërvitjes, por gjithsesi ishin përgatitje individuale dhe faktin që qëndroi gjatë gjithë verës pa skuadër ndikoi në formën e tij sportive dhe për rrjedhojë edhe në fushë nuk u pa ajo shpejtësi që e ka veçuar gjithnjë.

Me kalimin e muajve 23-vjeçari ka rifituar ritmin e lojës dhe po kthehet në një prej futbollistëve më të rëndësishëm tek nënkampionët, ka ende rrugë për të mbërritur tek Abazaj i Luftëtarit, por rruga nuk është më aq e gjatë.

Pak a shumë e njëjta histori për një tjetër futbollisti i konsideruar si një ndër yjet e Kukësit, Enis Gavazaj. Edhe mesfushori nga Prizreni nuk u transferuar që në fillim të qershorit tek blutë, por firma erdhi në mbyllje të muajit Korrik dhe mungesa e aktivitetit me Yenisey e Dinamo Minskun në sezonin e shkuar e më tej periudha disi e gjatë e pushimit në verë pa diskutim që ndikuan në lojën e 24 vjeçarit.

Për hir të së vërtetës në ndeshjet e para befasoi pozitivisht sepse nuk shfaqi shenja negative por më pas loja erdhi në rënie aq sa përfundoi edhe në stol kundër Bylisit, megjithatë duket se tashmë po ridel në skenë Gavazaj i Skënderbeut dhe kjo mund të prodhojë pse jo edhe doza entuziazmi tek verilindorët.

Nëse rritja që tashmë ka nisur e Abazajt e Gavazajt nuk ndërpritet atëherë shanset e Kukësit për të triumfuar në kampionat edhe me handikapin e madh të një fushë shtëpiake shtohen në nivele maksimale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat