Kosova rrezikon seriozisht të dënohet nga UEFA

Futboll

Kosova rrezikon seriozisht të dënohet nga UEFA

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 21:58
Pamje nga emisioni

Situata aktuale në futbollin dhe implikimet politike bëjnë që Kosova të jetë në rrezik serioz për t’u ndëshkuar nga dy shtëpitë e mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA, sipas Fatos Hoxhës dhe Bylbyl Sokolit.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë dy javëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se Kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten. E gjitha kjo situatë po vlerësohet e rrezikshme nga juristi Fatos Hoxha dhe trajneri Bylbyl Sokoli.

“Ne duket se kemi harruar që për një votë jemi pranuar në UEFA dhe FIFA dhe tani rrezikojmë që për një votë edhe të pezullohemi nga këto dy shtëpi të futbollit. Kemi rrezik serioz të dënohemi”, ka thënë Hoxha në emisionin sportiv Favorit në T7.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat