Laçi fiton me goleadë dhe kap Partizanin - Bota Sot
Laçi fiton me goleadë dhe kap Partizanin

Futboll

Laçi fiton me goleadë dhe kap Partizanin

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 15:07
Laçi fiton me goleadë dhe kap Partizanin

Bylis shpërdoron një mundësi të mirë për të rimarrë kreun e renditjes, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në Vlorë përballë Flamurtarit vendas, që momentalisht i ka mbetur vetëm emri i madh, pasi renditet në vendin e fundit me vetëm 6 pikë.

Vlonjatët e nisën më mirë takimin dhe arritën të kalojnë në avantazh që në minutën e 17’, kur një krosim i saktë i Ardit Hoxhës gjeti Sukajn të lirë në zonë dhe sulmuesi shkodran nuk e pati të vështirë të shtyjë topin në rrjetën e portës së Hidit.

Goli zgjoi ballshiotët, që filluan të shohin drejt portës së Moçkës, ndërsa trajneri Dovedan largoi mesfushorin Ujka, për të hedhur në fushë një sulmues si Celis, por vlonjatët ishin rreshtuar mirë në prapavijë dhe linin pak hapësira.

Në minutat e fundit të pjesës së parë ishte mbrojtësi i Flamurtarit Valdo Zeqaj që gaboi në mënyrë fatale në kthimin e një topi drejt portierit Moçka, duke ia dhuruar atë sulmuesit të ballshiotëve Guindo, i cili dribloi edhe gardianin vlonjat, për të shënuar golin e barazimit.

Edhe në fillim të pjesës së dytë ishte sërish Bylis protagonist, deri në minutën e 60’, kur Guindo u harrua në zonë nga Muçollari dhe shënoi golin e avantazhit për skuadrën mallakastriote, që duket se e konsideroi të mbyllur para kohe këtë takim.

Birçe reagoi nga pankina, duke forcuar sulmin me aktivizimin e Vatnikajt, ndërsa Flamurtari mori zemër dhe filloi të ndërtojë disa aksione radhazi, deri në minutën e 87’, kur mesfushori Bajram Nebihi mposhti për herë të dytë Hidin dhe riktheu baraspeshën.

Presioni për të gjetur golin e fitores, bëri që ballshiotët të gabojnë shumë në prapavijë dhe deri në vërshëllimën finale të arbitrit kryesor, rrezikuan në të paktën dy raste, që të pësojnë edhe golin e tretë.

Bën detyrën edhe Laçi, që triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Luftëtarit, duke u ngjitur momentalisht në vendin e tretë me 25 pikë, po aq sa ka edhe Partizani i vendit të dytë.

Skuadra e Armando Cungut nuk fal në shtëpi dhe konfirmoi sërish se ka sulmin më të mirë në Superiore, teksa edhe sot arriti të dërgojë 4 herë topin në rrjetë, ndonëse kishte përballë një kundërshtar që rreshtohet me forca të shumta në mbrojtje.

Takimi u zhbllokua shpejt me një gol të Redon Xhixhës, ndërsa goleadori Nwabueze dyfishoi shifrat pak para fundit të pjesës së parë. Në 45-minutëshin e dytë ishte Teco që shënoi edhe dy herë të tjera në portën e gjirokastritëve, duke vulosur fitoren e thellë 4-0.

Në pritje të dy ndeshjeve të tjera Kukësi-Teuta dhe Skënderbeu-Vllaznia, momentalisht kreun e renditjes vazhdon ta mbajë Partizani me 25 pikë, aq sa ka edhe Laçi i vendit të dytë, ndërsa Bylis ngjitet në kuotën e 24 pikëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat