Derbi i Londrës Tottenham-Chelsea

Futboll

Derbi i Londrës Tottenham-Chelsea

Më: 21 dhjetor 2019 Në ora: 11:28
Derbi i Londrës Tottenham-Chelsea

Shtatë muaj e gjysmë pas ndeshjes që i dhuroi praktikisht mbrojtjen e titullit dhe trofeun e gjashtë në historinë e kampionatit anglez, Manchester City rigjen Leicesterin përballë dhe sërish do të luhet në stadiumin “Etihad”.

Është java e 18 e Premiershipit, pra java e parafundit e fazës së parë dhe pavarësisht se ditën e diel do të mbahet edhe derbi i Londrës Tottenham-Chelsea, bëhet fjalë pikërisht për ndeshjen më të fortë në Angli, gjë që kuptohet lehtësisht edhe nga vetë klasifikimi i përgjithshëm.

Siç dihet Liverpooli është në Doha, në kryeqytetin e Katarit, me misionin e qartë për të siguruar për herë të parë në histori Kupën e Botës për Klube, kështu që dueli në kalendar me West Ham United është shtyrë, prandaj për momentin dy ekipet do të bëjnë çmos që të përfitojnë duke u afruar dhe ngushtuar diferencën në tabelën e renditjes.

“No Vinny, don’t shoot” ka mbetur në historinë e klubit dhe natyrisht nuk do të harrohet kurrë. Një shprehje e famshme që lidhet në mënyrë të pavdekshme me mbrëmjen e 6 majit dhe golin më të bukur të sezonit të kaluar, e sigurisht edhe golin më të rëndësishëm, që vulosi përfundimisht edhe fatin e edicionit më të fundit të Premier League-s.

Në “Etihad” ishte 70′ e takimit dhe Brendan Rodgers ish-trajneri i Liverpoolit që pesë vjet më herët me “të kuqtë” humbi titullin për vetëm dy pikë pikërisht prej City-t të Manuel Pellegrini-t, po i rikthente favorin klubit nga “Merseyside”, teksa në timonin e “dhelprave”, drejtim të cilin e kishte marrë vetëm dy muaj e gjysmë përpara këtij takimi, ia kishte dalë mbanë deri në ato momente për të hedhur në erë çdo plan të Guardiolës. Pep, futbollistët në stol, lojtarët në fushë apo dhe i gjithë stadiumi u duk sikur mërmëritën njëherësh Vini mos gjuaj, por nuk thuhet kot, rastësia është “mbreti i botës”.

Historia dihet, kapitenit të “citizens” Vincent Company iu shkrep në kokë për të goditur dhe për të mos ia vënë shumë veshin këshillave që i erdhën nga të katër anët, por plot irritim dhe mllef lëshoi një të djathtë të frikshme, për të mposhtur portierin kundërshtar Kasper Schmeichel, duke shënuar golin e jetës. Qendërmbrojtësi që nuk tentonte nga jashtë zonës prej një dekade, u shndërrua vetvetiu në një legjendë të klubit, megjithëse thellë në historinë e “sky blues” Vinny kishte hyrë që në vitin 2012, kur City përmbysi në 6 javët e fundit disavantazhin e plot 8 pikëve ndaj United të drejtuar nga Alex Ferguson, falë një goli të realizuar me kokë në derbi pikërisht nga kapiteni, për të fituar më pas titullin nën drejtimin e Roberto Mancini-t me golaverazh, në frymën e fundit në takimin me Queens Park Rangers-in.

Histori e bukur dhe tepër e veçantë, megjithatë Vincent Company tani nuk është më, pasi u emërua si lojtar – menaxher apo dhe kapiten te Anderlecht-i, madje Pep Guardiola me mendjemadhësi vendosi për të mos ta zëvendësuar dhe pasojat dihen. Kampionët në fuqi janë shumë pranë shkurorëzimit, teksa gjenden plot 14 pikë larg Liverpoolit të drejtuar nga Jurgen Klop.

“Të kuqtë” ndonëse e mbyllën sezonin e kaluar me një disfatë të vetme e humbën kampionatin për thjesht një pikë, ndërsa këtë herë City nuk pozicionohet më as në vendin e dytë, pasi aty prej kohësh është sistemuar pikërisht kundërshtari i kësaj jave, Leicester City, me katër pikë më shumë.

Sezonin e kaluar “sky blues” e përfunduan me plot 32 fitore, 2 barazime e 4 humbje, sidoqoftë për hir të së vërtetës 2 barazime dhe 4 humbje Pep i ka regjistruar në vetëm 17 javët e këtij edicioni, prandaj në mënyrë të kuptueshme ky është edhe fillimi më i dobët dhe një ecuri e tillë përbën edhe rendimentin më të ulët për 48-vjecarin spanjoll në karrierën e tij si trajner.

Në krahun tjetër “dhelprat” të udhëhequra nga golashënuesi më i mirë i kampionatit Jamie Vardy, 16 gola në 17 ndeshje, janë mundur vetëm dy herë, në të dy rastet minimalisht dhe larg Stadiumit King Power, me kundërshtarë të tillë si Liverpool dhe Manchester United.

Janë dy skuadra me mënyra të ndryshme loje dhe ndaj një kundërshtari të tillë Guardiola përgjithësisht ka vuajtur për të nxjerrë ekipin në lojën e tij të zakonshme. Mjafton të përmendet edhe bilanci i 10 sfidave të fundit. Në kohën e rregullt City kryeson 4-3 me fitore, por vlejnë të përmenden dy përballjet e veçanta në dy edicionet e fundit të Kupës së Ligës, në të dy rastet “sky blues” krenohen vërtet me ngritjen e trofeut, megjithatë është fakt që në të dyja këto sfida “citizens” kaluan vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave, transmeton SS.

Ndeshja do të luhet në orën 18:30 dhe do të drejtohet nga kryesori Mike Dean, ndërsa java çelet me duelin e fortë Everton-Arsenal, që do të zhvillohet që në orën 13:30 në Stadiumin Goodison Park. Dy klube plot emër që kanë zhgënjyer së tepërmi në këtë edicion dhe për momentin ndahen nga vetëm katër pikë, por që sidoqoftë shpresojnë të ndryshojnë fatet e këtij sezoni, teksa kanë përzgjedhur pas kësaj sfide pikërisht emërimin e trajnerëve të rinj, Carlo Ancelotti për blutë dhe Mikel Arteta për “topçinjtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat