Shifër rekord në Serie A, shitet për 790 milionë euro. Parakalon Milanin dhe Interin

Futboll

Shifër rekord në Serie A, shitet për 790 milionë euro. Parakalon Milanin dhe Interin

Më: 3 janar 2020 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Loja luhet mes Boston dhe Houston. Në rrezik, e ardhmja e Romës. Në fushë: James Pallotta, presidenti aktual verdhekuq, dhe Dan Friedkin, manjati nga Teksasi, i cili dëshiron të bëhet president i kryeqytetasve italianë. Po si? Me një ofertë që (tani për tani) prek të paktën 800 milionë euro. Një shifër “e ulët”, nëse krahasohet me 500 milionë euro të paguara nga “Silver Lake Partners” për të blerë 10 për qind të Manchester City, por gjithsesi një rekord në Itali. Po, sepse asnjë klub tjetër i Serie A nuk është shitur ndonjëherë për një shumë të tillë. Le t’i qëmtojmë gjërat. Këtu më poshtë janë ndryshimet më të shtrenjta të pronësive të klubeve të Serie A në vitet e fundit.

INTER: MORATTI-THOHIR-SUNING
Që nga 2013-ta, Interi ka kaluar në duart e tre presidentëve. Më 15 tetor të atij viti, pronari i klubit zikaltër, Massimo Moratti, pasi fitoi gjithçka, duke harxhuar mbi një miliard euro nga viti 1995 e tutje, ia shiti 70 për qind të aksioneve një konsorciumi indonezian, të kryesuar nga Erick Thohir, për 250 milionë euro, përfshirë edhe borxhin. Por, në fakt, manjati i telekomunikacionit pagoi “vetëm” 75 milionë euro nga xhepi i tij. Epo, pas pesë vitesh dhe "zero tituli" në fushë, Thohir e shet klubin zikaltër përmes dy kësteve: qershor 2016 (70 për qind) dhe tetor 2018 (pjesa e mbetur, 30 për qind) për një shumë afër 200 milionë euro, duke regjistruar një fitim (të tij) kapitali prej afro 157 milionë euro. Blerësi? Grupi kinez “Suning”, i cili kryesohet nga familja “Zhang”. Presidenti i ri është Steven, djali i themeluesit të “Zhang Jindong”.

ÇFARË NEGOCIATE ROMANTIKE
Më 13 prill 2017, pas 31 vitesh; përfundoi epoka e Silvio Berlusconit te Milani. Pronësia e klubit kuqezi kalon te misteriozi kinez, Yonghong Li. Pagesa e 190 milionë eurove, vendimtare për shitj-blerjen, u bë në orët e para të pasdites së asaj dite. Vlerësimi i përgjithshëm, siç shkruhej në njoftimin për shtyp zyrtar të lëshuar nga klubi, ishte “740 milionë euro, përfshirë një situatë borxhi të vlerësuar në 30 qershor 2016, siç është rënë dakord nga palët, në rreth 220 milionë euro”. Megjithatë, tetë muaj, shumë shtyrje dhe një hua nga fondi “Elliott” prej 303 milionë euro - vetëm 180 milionë të destinuara për blerje - ishin të nevojshme për të mbyllur këtë “romancë” presidenciale nga më të shkurtërat e viteve të fundit në futbollin italian. Por, nuk mbaron këtu. Në korrik 2018 regjistrohet transferimi tjetër i pronësisë së Milanit, pas dështimit të Yonghong Li për të shlyer 32 milionë euro të marra nga “Elliott”. Me pak fjalë, pronari i ri i Milanit bëhet tani fondi amerikan, që emëroi Paolo Scaroni si zyrtarin kryesor të klubit; Boban dhe Maldini si drejtues të lartë sportivë.
PARADOKSI SAMPDORIA
Përkundrazi, transferimi i pronësisë së Sampdoria, i cili u zhvillua në korrik 2014, është paradoksal. Një kalim nga Garrone te Ferrero. Në fakt, u zbulua se ish-mbrojtësi, përmes “San Quirico” derdhi shumën prej 62.5 milionë euro në arkat e “blucerchiate”. Shifra e injektuar në ekip më tej është 2.9 milionë euro. Pra, para shitjes, totali shkoi në kuotën e 65.4 milionë  eurove. Ky është çmimi me të cilin aksionari i vjetër e vuri klubin në dispozicion të Massimo Ferrero. 36.5 milionë euro shkuan direkt në arkat e “Unione Sampdoria Calcio”, ndërsa 28.9 milionë euro në llogarinë e “Sport Spettacolo Holding”.

BOLOGNA DHE MË PAS COMMISSO
Joey Saputo, biznesmen kanadez dhe pronar i skuadrës kanadeze të futbollit, Montreal Impact, bleu Bologna më 14 tetor 2014. Joe Tacopina do të bashkohej me të dhe më pas, ai do t’i likuidonte mosmarrëveshjet ligjore dy vite më vonë. Por, në këtë rast, rreth 13 milionë euro janë të mjaftueshme për të kapur klubin italian (i cili luajti në Serie B, në vitin 2014). Në Firence, nga ana tjetër, epoka e vëllezërve “Della Valle”, që filloi në vitin 2002, përfundoi këtë verë me hyrjen në skenë të sipërmarrësit italo-amerikan, Rocco Commisso, i cili e bleu klubin vjollcë për afro 135 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat