Vidal tek Interi? Tashmë e ka në dorë menaxheri i… Alexis Sanchez

Futboll

Vidal tek Interi? Tashmë e ka në dorë menaxheri i… Alexis Sanchez

Më: 4 janar 2020 Në ora: 11:30
Arturo Vidal

Asnjëherë më parë te zikaltrit, merkatoja e dimrit nuk është parë si armë kryesore në garën për titull, ku duhet sfiduar Juventusi. Interi e di mirë se shanset në këtë drejtim kalojnë pikërisht nga puna e bërë prej menaxherëve të tij në javët në vazhdim. Marotta dhe Ausilio duan t’i japin Contes atë që i duhet.

Në krye të dëshirave të trajnerit nga Salento qëndron Arturo Vidal, i bllokuar, megjithatë, nga Barcelona. Fjalët e fundit të Ernesto Valverde ishin këto: “Alena u largua, nuk mendoja se do të ndodhte kjo gjë kaq shpejt. Sidoqoftë, ai e pati këtë shans falë klauzolës. Tani kemi një lojtar më pak në mesfushë. Unë nuk pres më asnjë largim. Ne kemi ato që kemi dhe mund të afrojmë dikë nga ekipi B”.

Një mbyllje dere për largimin e kilianit, të cilit, ndërkohë, i është refuzuar nga komisioni përkatës i La Liga-s kërkesa për kompensim 2.4 milionë eurosh. Mesfushori pretendonte se nuk është paguar nga Barcelona për disa bonuse të lidhura me sezonin e kaluar.

Vidal u rikthye nga festat e Krishtlindjeve dhe është grumbulluar për derbin kundër Espanyol, të planifikuar të luhet sonte. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, në këtë pikë të gjërave, do të duket puna e ndërmjetësit të transferimit. Gjithçka duhet të kryhet nga agjenti Fernando Felicevich, i cili mbikëqyri personalisht edhe transferimin e Alexis Sanchez tek Interi.

Felicevich ka për detyrë të bindë Barcelonën që të pranojë propozimin prej 12 milionë eurove të zikaltërve, i refuzuar kategorikisht deri më tani, për shkak se kërkesa e kampionëve të La Liga-s mbetet e palëvizur, 20 milionë euro. Gjithmonë, sipas gazetës së njohur sportive italiane, Interi do të ishte i avancuar për blerjen e Christian Eriksen.

Kjo pistë ka vlerë vetëm për verën e ardhshme, si një transferim i lirë; ndërsa blerja e menjëhershme e danezit favorizon Real Madridin dhe PSG. Nga ana tjetër, 20 milionë euro duhet të paguhen menjëherë në arkat e Tottenham për ta marrë mesfushorin në fjalë, çka rastësisht është e barabartë me shumën e kërkuar nga Barcelona për Vidal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat