Agjenti zbulon të ardhmen e Bale: Vështirë se mund të ndodhë largimi nga Reali

Futboll

Agjenti zbulon të ardhmen e Bale: Vështirë se mund të ndodhë largimi nga Reali

Më: 9 janar 2020 Në ora: 13:38
Gareth Bale

Gareth Bale nuk është i interesuar të largohet nga Real Madridi për t’iu bashkuar ndonjë klubi amerikan gjatë afatit kalimtar të janarit, pretendon agjenti i tij, Jonathan Barnett.

Sulmuesi uellsian vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave për të ardhmen e tij, shkaku i interesimit të disa klubeve për ta transferuar atë nga Real Madridi.

30-vjeçari është përfolur për transferim te disa klube të ndryshme – në Manchester United apo Tottenham në Angli dhe së fundi në ndonjë klub të ligës amerikane Major League Soccer.

Agjenti i Bale, Jonathan Barnett, ka bërë të ditur për ESPN se uellsiani s’është i interesuar për ofertat nga SHBA-ja, përkundër interesimit të LA Galaxyt dhe Inter Miamit.

“Bale nuk do të shkojë askung në janar dhe vështirë se mund të ndodhë largimi i tij nga Real Madridi edhe gjatë verës”, ka thënë Barnett në një intervistë të dhënë për ESPN.

Bale ka kontratë në Santiago Bernabeu deri më 2022, kontratë kjo të cilën ai e kishte nënshkuar në tetor të vitit 2016. Megjithatë, ai ishte pritur të largohet gjatë afatit kalimtar të verës, kur trajneri Zinedine Zidane ia bëri të qartë se s’është pjesë e planeve të tij.

Paga e 30-vjeçarit dhe fakti se Real Madridi nuk do ta lejojë shitjen e një lojtari të statusit të tij pa ndonjë shumë mbresëlënëse bëjnë që opsionet e uellsianit të jenë të limituara, pasi që shumë klube s’mund ta përballojnë financiarisht transferimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat