Hasi: Është e moralshme që të jesh këtu!

Futboll

Hasi: Është e moralshme që të jesh këtu!

Më: 9 janar 2020 Në ora: 19:19
Hasi: Është e moralshme që të jesh këtu!

Ish-kapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi, ka bërë një sakrificë të çmendur, për të qenë i pranishëm në ndeshjen e bamirësisë “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku” mes brezit të artë të kuqezinjve të viteve 2000 dhe një kombëtare yjesh të Italisë, Greqisë dhe Turqisë.

48-vjeçari, udhëtoi nga Arabia Saudite, teksa mbërriti mëngjesin e ditës së sotme në Tiranë. Hasi aktualisht është trajner i Al Read. Gjakovari do të qëndrojë vetëm 24 orë në Shqipëri, pasi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së parë të bamirësisë, do të niset sërish drejt Arabisë Saudite, pasi skuadra e tij ka ndeshje në fundjave dhe kësisoj ai duhet të jetë prezent për të drejtuar Al Read.

Në një prononcim për “TCH”, Hasi ka folur në lidhje me prezencën e tij në këtë event bamirësie teksa u shpreh:

“Është e moralshme që të jesh këtu. Çdo njeri duhet të ndihmojë në këtë kauzë dhe njerëzit atje ku jam unë e kuptojnë këtë gjë. Edhe pse lash ekipin 2 ditë para ndeshjes vetëm,  kam stafin tim dhe presidenti tha se: E ke te obliguar, nuk ka problem.

Një ëndërr që të gjithë e ndjejnë por asnjëherë nuk është realizuar, por në këtë mënyrë mund të luajmë bashkë, që të jemi të gjithë së bashku për fanellën kuqezi. Do të më emocionojë takimi me çunat tonë që kemi luajtur bashkë. Jam mësuar të jem çdo ditë në fushë, akoma kam energji që të jem çdo ditë me çunat dhe t’i stërvis.

Por, kur ke moshën e duhur dhe përvojën e duhur do vij edhe Kombëtarja”, u shpreh Hasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat