Tifozi i Veronës dënohet me pesë vjet shkaku i thirrjeve raciste ndaj Balotellit

Futboll

Tifozi i Veronës dënohet me pesë vjet shkaku i thirrjeve raciste ndaj Balotellit

Më: 10 janar 2020 Në ora: 15:05
Mario Balotelli

Një burrë 38-vjeçar italian është pezulluar për pesë vjet nga stadiumet, pasi që u shpall fajtor për abuzim racor ndaj sulmuesit italian Mario Balotelli gjatë një ndeshjeje të Serisë A në nëntor të vitit 2019.

Mario Balotelli, i cili luan për Brescian, kishte qenë i gatshëm ta lërë ndeshjen në gjysmë pasi kishte dëgjuar thirrje raciste nga tribunat gjatë pjesës së dytë të disfatës 2:1 kundër Hellas Veronas, që u dënua me zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozë.

Burri i akuzuar për nxitjen e thirrjeve raciste, të cilat e kishin zemëruar Balotellin aq shumë saqë ai kishte reaguar e gjuajtur topin drejt tribunave, u identifikua nga policia e Veronës, që i shfrytëzoi kamerat e vendosura në stadium.

Pezullimi prej pesë vjetësh do të thotë se ai s’do të mundë ta përcjellë asnjë ndeshje sportive brenda Bashkimit Evropian nëpër stadiume deri në vitin 2025, ndërsa s’i lejohet as t’i vizitojë zonat ku zakonisht grumbullohen tifozët në ditët e ndeshjeve.

Balotelli u përball me thirrje raciste sërish këtë muaj, këtë herë nga tifozët e Lazios, në disfatën me rezultat 2:1 në shtëpi. Lazio është dënuar me 20 mijë euro, ndërsa policia po i vazhdon hetimet për t’i identifikuar tifozët përgjegjës për ato thirrje.

29-vjeçari Balotelli ka qenë viktimë e thirrjeve raciste disa herë gjatë karrierës së tij. Kur ai luante për Interin, rivalët e provokonin duke brohoritur: “Nuk ka italianë të zinj” dhe ai kishte përjetuar edhe ofendime të tjera gjatë ndeshjes së Milanit kundër Romës në vitin 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat