Nuk janë më thashetheme, Barcelona ka zbarkuar në Doha për Xavi

Futboll

Nuk janë më thashetheme, Barcelona ka zbarkuar në Doha për Xavi

Më: 11 janar 2020 Në ora: 10:05
Xavi

Viti 2020 hapet me një “bombë” të mundshme në stolat europianë. Madje, tek ekipet e elitës së kontinentit. Barcelona, në fakt, po mendon për Xavi si trajnerin e saj të ri në vend të Valverde, pas zhgënjimit në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës dhe dy të tjerave në Ligën e Kampionëve (Roma dhe Liverpool). Trajneri aktual është kundërshtuar shpesh nga tifozët Blaugrana.

Sipas transmetuesit katalanas, RAC1, përfaqësues të Barcelonës janë tashmë në Doha për të bindur Xavi që të pranojë stolin e klubit të tij të vjetër, ku bëri historinë e futbollit botëror. Aktualisht, ish-mesfushori spanjoll trajnon Al-Sadd, ekipin e tij të parë si trajner, pasi i dha fund karrierës si futbollist me këtë klub.

Të enjten në mbrëmje, Barcelona humbi gjysmëfinalen e Superkupës Spanjolle karshi Atletico Madrid, çka i ka tërbuar tifozët dhe presidentin Bartomeu. Këto të fundit dëshirojnë një ndryshim të menjëhershëm, shumë përpara raundit të radhës të Champions-it, të planifikuar për në shkurt.

Klubi dërgoi drejtorin sportiv, Eric Abidal, dhe Oscar Grau për të folur me ish-lojtarin e skuadrës katalanase. Francezi, partner i Xavi për disa sezone të lavdishme te Barcelona, do të përpiqet ta bindë atë. E gjitha do të varet nga vullneti i një ish-kampioni, i cili sapo e ka filluar rrugën e trajnerit. Rreziku për t’u djegur është i lartë.

Sidoqoftë, Al Sadd, lidhur me këto zëra, ka bërë një reagim zyrtar, duke marrë pozicion: “Mundësia që Xavi të shkojë te Barcelona është normale dhe e parashikueshme, sepse ishte klubi i tij, shtëpia e tij dhe ku ai do të duhet të kthehet në të ardhmen. Por, për momentin, Xavi është trajneri ynë. Çdo negocim për të ardhmen e tij do të duhet të kalojë nëpër kanalet zyrtare të klubit tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat