Përshëndet Milanin për Juventusin

Futboll

Përshëndet Milanin për Juventusin

Më: 11 janar 2020 Në ora: 13:09
Përshëndet Milanin për Juventusin

Xhanluixhi Donaruma është i lidhur me Milanin deri më 30 qershor 2021. Ende 18 muaj kontratë, shumë pak për klubin kuqezi që t’i ndiejë shpatullat e mbuluara. Lidhja sentimentale mes portierit dhe klubit të “Djallit” nuk vihet aspak në diskutim, duke qenë se Xhixho i ka dhënë shpeshherë provat, por sigurisht që pasiguritë me të cilat po përballet Milani shtyn gjithmonë e më shumë për një ndarje mes palëve, verën e ardhshme.

Drejtuesit milanezë e kanë biseduar shpeshherë temën e rinovimit të “gardianit” me Mino Raiolën, por menaxheri i Donarumës ka marrë kohë deri më sot, nisur edhe nga fakti se për klientin e tij ka një interes shumë të madh nga klubet më të mëdha të Europës. Më shumë se kushdo tjetër, është Juventusi destinacioni kryesor, i cili nënvizohet se është gati që të kthehet në sulm me një ofertë për futbollistin, e cila është vërtet e parezistueshme: 9 milionë euro neto në sezon për të paktën 5 vitet e ardhshme.

Një shifër kjo shumë herë më e lartë sesa 6 milionët që Xhixho përfiton aktualisht te Milani dhe kërkesa e Raiolës prej 7 milionë eurosh, sezonin e kaluar, për të nisur bazat e rinovimit me kuqezinjtë. Gjithsesi, më shumë sesa paga, edhe pse për një menaxher si Mino Raiola mirëqenia e klientëve të tij është parësore, fakti që deri më sot Xhixho Donaruma nuk ka luajtur ende ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampioneve, është një çështje prestigji që nuk mund të anashkalohet më.

Vërtet portieri italian është vetëm 20 vjeç, por fakti që ai është titullari i Milanit dhe aq më i shumë i kombëtares së Italisë, respektivisht prej 3 dhe 2 vitesh, e shtyn agjentin që të lëshojë një prej “diamantëve” më të rëndësishëm të skuderisë së tij në arenën e rëndësishme ndërkombëtare, atë të cilën mund t’ia ofrojë me siguri Juventusi, por Milani vështirë se mund t’ia dalë sivjet apo qoftë edhe sezonin e ardhshëm, pasi zona Champions është vite dritë larg, duke parë renditjen aktuale. Prandaj, Donaruma dhe Juventusi, shtyrë edhe nga 9 milionët në sezon, është një akord që duket drejt mbylljes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat