Fetahaj: Ballkanin e veçon cilësia, serioziteti dhe qasja e kryesisë 

Futboll

Fetahaj: Ballkanin e veçon cilësia, serioziteti dhe qasja e kryesisë 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 janar 2020 Në ora: 19:01
Liridon Fetahaj

Ballkani nga Theranda me rezultate po dridh disa klube në elitën e futbollit të Kosovës. Skuadra nga Theranda, që ka kryetrajner Ismet Munishin, dëshmuan cilësi në pjesën e parë të kampionatit dhe me plotë meritë janë kampion vjeshtor. Meritë të veçantë ka edhe presidenti i klubit, Arsim Kabashi, së bashku me kryesinë,  Shtabin Teknik, futbollistët, tifozët, e të gjithë që janë në kolektiv, për suksesin e madh.

I madh e i vogël në Therandë dhe rrethinë po jetojnë me suksesin e stinorit vjeshtor dhe të gjithë janë të bindur se do të jenë edhe më të fuqishëm në pjesën e dytë të kampionatit, që ta sjellin titullin e parë në vitrinat e klubit.

Kolektiv i organizuar, me kushte shumë të mira dhe dëshmia më e mirë është se edhe përgatitjet po i zhvillojnë në Antalia të Turqisë, që të komponohen sa më mirë për betejat pranverore.

Image

Sulmuesi Liridon Fetahaj, tha se Ballkani i ka të gjitha kushtet për punë dhe kjo e motivon edhe më shumë për sfidat e ardhshme. Ballkani ka 34 pikë, dy më shumë se Gjilani në pozitën e dytë, pasojnë Drita e Prishtina me nga 31, Feronikeli 27 pikë etj. 
 
“Bota sot”: Me Ballkanin po përgatiteni në Antalia, cilat janë kushtet për punë dhe atmosfera në qytetin bregdetar?
Liridon Fetahaj:
Jemi në Antalia, kushtet për punë janë shumë të mira dhe atmosfera është shumë e mirë në këtë muaj. E falënderoj presidentin e klubit që na ka mundësuar përgatitjet në Antalia, pasi janë të rëndësishme për vazhdimësi.

“Bota sot”: Pranvera do të jetë shumë interesante, gjysma e ligës në luftë për titull, ndërsa Ballkani ka dy pikë më shumë se Gjilani, a mendoni se si ekip do të jeni edhe më të fortë?
Liridon Fetahaj:
Po, mendoj se do të jemi edhe më të fortë në pjesën pranverore. Normal që do të kemi telashe me ekipet pretendete, mirëpo ne do të qasemi nga loja në lojë.

“Bota sot”: Si e sheh luftën për titull mes Ballkanit,  Gjilanit, Dritës, Prishtinës, Feronikelit, ku janë përparësitë e skuadrës tuaj dhe cila skuadër është rivali më i madh?
Liridon Fetahaj:
Për vet faktin ekipet që i përmende janë në luftë për titull, i bie që të gjithë i kemi rival pasi edhe jemi në pozitën e parë. Mirëpo, shpresoj që do të arrijmë lart synimet tona.

“Bota sot”: A mendoni se Antalia është një mundësi e mirë për zhvillimin e miqësoreve?
Liridon Fetahaj:
Po, patjetër që është mundësi e mirë për zhvillimin e miqësoreve dhe kishte me qenë mirë që të gjitha ekipet t’i krijojnë kushtet për përgatitje këtu, pasi ka vërtet ekipe të mira dhe cilësore, ku mund të rrisësh nivelin personal e ekipor.

“Bota sot”: Cilat janë synimet me Ballkanin?
Liridon Fetahaj:
Synimet janë që të shkohet lojë pas loje, pastaj ti japim vetit synim të qartë për vazhdimësi, mirëpo tani mendoj që është pak herët dhe jemi vetëm dy pikë larg vendit të dytë.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Ballkanin nga skuadrat tjera?
Liridon Fetahaj:
Ballkanin e veçon cilësia, serioziteti, qasja e kryesisë ndaj lojtarëve dhe gjëra tjera që i japin përparësi. 

“Bota sot”: A premtoni sa më shumë gola?
Liridon Fetahaj:
Dëshira ime më e madhe është të shënoj gola  kur unë shënoj jam tepër i qetë dhe mund të bëj shumë gjëra tjera. Të Ballkani kam ardhur për të shënuar gola, mirëpo do të shohim si do të shkojnë përgatitjet, kështu që shpresoj ta fitoj statutin e titullarit por duhet shumë punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat