Buffon krenohet me rekordin e Serie A: Nuk është aspirata ime të frymëzoj njerëzit...

Futboll

Buffon krenohet me rekordin e Serie A: Nuk është aspirata ime të frymëzoj njerëzit...

Më: 17 janar 2020 Në ora: 13:29
Gianluigi Buffon

Pasi luajti kundër Sampdoria, fundvitin e kaluar, Gianluigi Buffon barazoi rekordin e Paolo Maldini për më shumë ndeshje në Serie A. Të dy janë tashmë në nivelin e 647 paraqitjeve në elitën e futbollit italian, me Buffon të përgatitur për ta përmirësuar këtë rekord të tijin deri në fund të sezonit. 41-vjeçari është lojtari i tretë më i vjetër në Serie A, me nëntë tituj vendas, një rekord që tashmë e ka të gjithin për vete. Ndërsa suksesi dhe jetëgjatësia e portierit është pashmangshëm një burim frymëzimi për shumë njerëz, vetë Buffon ka theksuar se nuk dëshiron të “rëndohet” me kësi “valencash”. 

“Është një kënaqësi kjo arritje, që më bën krenar. Është e drejtë të jesh krenar me rekordin e ndeshjeve të luajtura në Serie A. Jeta është produkt i sakrificës dhe i djersës, por edhe e gjërave të bukura dhe joserioze, - tha Buffon për “Calciomercato”. - Unë nuk dua të jem model për fëmijët dhe njerëzit, nuk është aspirata ime. Nuk e ndiej nevojën për të frymëzuar askënd. Shumë do të donin që t'i merrnin përsipër këto përgjegjësi, por edukimi i një fëmije varet nga prindi. Unë mund të jem “ushqim” për mendjen, nëse një familje, rreth tryezës, më sheh duke bërë 700 paraqitje në Serie A. Babai mund t’i thoshte fëmijës: Shih Buffon… Unë preferoj të merrem shembull i aftësisë dhe përulësisë për t’u përmirësuar. Kjo vlen për fëmijët e mi, por nuk dua të bëj presion as ndaj tyre”.

Buffon debutoi në Serie A më 1995, me fanellën e Parmës, në një barazim 0-0 kundër Milanit. Aktualisht është i kontraktuar me Juventusin deri në fund të sezonit. Fituesi i Kupës së Botës me Italinë ka bërë shtatë paraqitje në Serie A, këtë sezon, për skuadrën e Maurizio Sarri. Ndërsa nuk është më numri 1 i Juventusit, Buffon ka lënë të kuptohet se mund të luajë edhe sezonin e ardhshëm, nëse do të jetë në gjendje ta ndihmojë klubin.

“Arsyeja që unë vazhdoj të luaj është se mund t'i jap vetes, së bashku me shokët e skuadrës dhe këtij klubi, shumë emocione të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh, - tha Buffon në dhjetor. - Gjëja që më intereson më shumë personalisht, më shumë sesa lojërat, është roli që mund të luaj këtu te Juve me shokët e ekipit, stafin dhe menaxherët. Në lidhje me të ardhmen, unë lë jetën të ma tregojë rrugën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat