Deri më tani janë mbledhur afër 4 mijë euro për të ndihmuar Arben Beqirin

Futboll

Deri më tani janë mbledhur afër 4 mijë euro për të ndihmuar Arben Beqirin

Më: 17 janar 2020 Në ora: 16:25
Arben Beqiri

​Portieri nga Kosova, Arben Beqiri ditë më parë ka bërë të ditur se është duke vuajtur nga një sëmundje e rënë, siç është tumori në lukth.

Menjehërë pas deklarimit të Beqirit në media, komuniteti sportiv në Kosovë reagoi duke filluar me iniciativa të ndryshme për të ndihmuar “gardianin” nga Mitrovica.

Ndër to ishte edhe Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të futbollistëve të Kosovës, e cila nëpërmjet një konference për media kishte bërë të ditur se kishin marrë vendim që në mënyrë të organizuar ta ndihmojnë financiarisht portierin e Trepçës 89.

Kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani në një intervistë për kp tregoi për hapat që ka ndërmarr kjo shoqatë si dhe për shumën e mjeteve të grumbulluara deri më tani.

Zogiani u shpreh se fillimisht ishte e vështirë për ta, mirëpo pas bisedimeve të shumta me Arbenin, bashkarisht kishin vendosur që të marrin një iniciativë të tillë.

Zogiani: Arbeni frikësohej se do të mblidhet një shumë e madhe

“Qysh në momentin kur Arbeni ka dalë në media domethënë është prononcuar për problemin shëndetësor që e ka, atëherë ne si bord i shoqatës me idenë aty brenda për brenda bordit të njërit prej anëtarëve, kemi vendosur që të takohemi së pari dhe të mendojmë se cila është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Arbenin. Të them të drejtën nuk ka qenë e lehtë sepse në fillim e kemi takuar edhe Arbenin për me pa sa është e rëndë vet gjendja e tij dhe se si do ta pranojë ai atë iniciativë..... Arbeni hezitoi në fillim sepse tha se frikësohej se mos po mblidheshin më shumë dhe i treguam që nuk ka të bëj asgjë më të, sepse ai nuk ka kërkuar ndihmë por vetëm e ka tregu problemin shëndetësor që e ka”, tha fillimisht Zogiani.

Tutje Zogiani deklaroi se janë klubet e Superligës të cilat nuk kanë hezituar dhe kanë qenë menjëherë të gatshme për të ndihmuar, ndërsa skuadrat tjera nuk kishin qenë të gatshme as të marrin pjesë në takim.

Zogiani: Klubet e Superligës ishin ato që nuk hezituan të na ndihmonin

“Të them të drejtën për dallim prej kohës së shkurt që e kemi mbajtur mbledhjen, është marrë vendimi me kapitenët e ekipeve, kanë qenë të përgjithësuar domethënë ekipet e futbollit të Kosovës, mirëpo kanë ardhur vetëm kapitenët e Superligës, shumica e tyre ndoshta me një arsyetim të vogël për të tjerët se nuk janë edhe shumë të organizuara klubet e Ligës së Parë, Ligës së Dytë e mos të flas edhe për të tretës. Po them prapë për kohën e shkurtër të cilën e kemi organizuar është pritur shumë mirë dhe kanë qenë të gatshëm që menjëherë me kontribu dhe shohim që për dy, tre ditë vetëm se i kanë mbledh të hollat e disa prej klubeve i kanë dorëzuar ato”, vazhdoi ai.

Zogiani tregoi se deri më tani, 3 ditë pas fillimit të mbledhjes së këtyre fondeve janë mbledhur afër 4 mijë euro, edhe pse janë vetëm tre klube të cilat deri sot i kanë dorëzuara mjetet e mbledhura.

Zogiani: Deri më tani janë mbledhur afër 4 mijë euro

“Deri më herët kur isha edhe në bankë për të parë pasqyrën financiare shuma diku ishte afër 4 mijë euro, të cilat kanë ardhur si donacione. Mund të them se vetëm tre klube i kanë dorëzuar deri tani mjetet e grumbulluara, mbesin diku edhe 9 klube. Është një pjesë ku edhe Federata ka shfaq interesim që përmes neve ta mbështes ta ndihmojë edhe atë. Është vet kryetari i Federatës që është deklaruar personalisht nga të hyrat e tij individuale edhe po besoj që deri sa të përfundon, unë po e quaj si pjesë të parë sepse prapë po them se për shkak të kohës edhe duke ditur se ndoshta Arbeni ka nevojë që më herët ti dorëzohet, atëherë e kemi caktuar që të hënën në mesditë ti dërgojmë shumën e mbledhur tek Arbeni”, tha Zogiani.

Ai shpreson që deri të hënën, kur edhe do ti dorëzohen mjetet portierit nga Mitrovica shuma e mbledhur të shkojë afër 10 mijë, shumë kjo e cila sipas tij do të ishte një ndihmesë e madhe për të.

Zogiani: Besoj që grumbullojmë rreth 10 mijë euro

“Besoj që me gjitha këto deri në 10 mijë euro mblidhen. Çka është më tepër atëherë janë të mirëseardhura. Të them të drejtën kemi kontaktuar edhe me kapitenin e përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmanin edhe mandej kemi tentuar të kontaktojmë edhe me të Shqipërisë edhe me futbollistë jashtë Kosovës që luajnë. Po shpresoj që do të hasim në mirëkuptim të tyre dhe të ketë sadopak një donacion nga ta”, përfundoi Zogiani.

Kujtojmë që Beqiri tashmë kishte filluar fazën e tretë të mjekimit, dhe ditë më parë kishte deklaruar se shpreson që të mos ketë nevojë për mjekim më të avancuar për të dalë jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat