Shqipëria fiton të dytën ndaj Ukrainës

Futboll

Shqipëria fiton të dytën ndaj Ukrainës

Më: 17 janar 2020 Në ora: 18:57
Shqipëria fiton të dytën ndaj Ukrainës

Shqipëria U-17, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka fituar me rezultatin 1-0 ndeshjen përballë bashkëmoshatarëve të Ukrainës në ndeshjen e dytë të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”. Kuqezinjtë vinin në këtë ndeshje pas debutimit me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, ndeshje që u vendos nga goli i Melsi Çerenit.

Ndeshja ndaj Ukrainës filloi menjëherë me gol, pasi në minutën e parë të lojës sulmuesi Neziri kaloi në avantazh kuqezinjtë. Pas golit të Nezirit skuadra vijoi lojën sulmuese, duke kërkuar me ngulm edhe golin e dytë dhe të sigurisë, me ukrainasit që vuajtën superioritetin në lojë të skuadrës së Beqirit, i cili e kishte rreshtuar skuadrën me skemën 3-4-3, duke kërkuar maksimumin nga skuadra e tij.

Në ndryshim nga ndeshja e parë, skuadra ka pasur ndryshime të mëdha në formacion, duke i dhënë mundësi të gjithë lojtarëve të provohen në këtë turne ku synohet të evidentohen elementët më të spikatur të datëlindjes 2004.

Shqipëria do ta përmbyllë fazën në grupe të këtij turneu ditën e diel, datë 19 janar, me ndeshjen ndaj Koresë së Jugut, e cila ndodhet në të njëjtën kuotë pikësh me kuqezinjtë, 6. Në datë 21 janar do të zhvillohen ndeshjet për vendin e shtatë, vendin e pestë, vendin e tretë dhe finalja e madhe për të shpallur fituesin e turneut.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Lenja; Pano; Miftari; Stafa; Kaçanolli; Deda; Bajraktari; Çela; Neziri; Çereni; Selimi. U aktivizuan: Halili, Kote, Tahiri; Musai; Blakqori; Jashari; Kraja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat