Sarri injoron merkaton zikaltër: Frikë nga Interi? Kjo është fjalë e madhe…

Futboll

Sarri injoron merkaton zikaltër: Frikë nga Interi? Kjo është fjalë e madhe…

Më: 18 janar 2020 Në ora: 16:07
Maurizio Sarri

Nesër fillon faza e dytë e Serie A për Juventusin. Parma do të jetë mysafire në “Allianz Stadium”. Maurizio Sarri nuk tregon nëse do ta nisë me “tridentin” e rëndë (Ronaldo-Dybala-Higuain) kundër verdhebluve, por së pari i kushton një dedikim të ndjerit Pietro Anastasi: “Do të doja të kujtova e nderoja një lojtar shumë të rëndësishëm për këtë klub dhe për të gjithë futbollin italian. Një nga lojërat e para që mbaj mend, kur isha fëmijë, ishte finalja europiane e vitit 1968, në të cilën Anastasi ishte protagonist. I bëj homazhe këtij lojtari të shkëlqyer, i cili, siç më thonë ata që e kanë njohur, ka qenë edhe një njeri i shkëlqyeshëm”.

Tridenti i ëndrrave, Dybala-Higuain-Cristiano Ronaldo - “Nëse është e vështirë të vendos tani? Unë preferoj të kem vështirësi të këtij lloji. Le të shohim si janë lojtarët sot, si janë ata që luajtën të mërkurën tërë ndeshjen, pastaj do të vendosim”.

Kundërshtari - “Klasifikimi i Parmës është i qartë; një pikë larg zonës së Europës. Është një ekip plot të fshehta, që di të mbrohet dhe të fillojë mirë ndërtimin nga prapavija. Ka marrë rezultate të mira, duke ndjekur këtë rrugë. Qëndrimit ynë duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, për të mos e lejuar kundërshtarin të bëjë lojën e vet. Nuk ka dobësi të mëdha, madje edhe pikat mbrojtëse i ka mjaft të forta. Parma ka lojtarë shumë fizikë si Kucka dhe Kurtic, të cilët i japin substancë të shkëlqyeshme mesfushës. Dhe pastaj ka sulmues të zotë si Inglese e Kulusevski. Është një ekip me vlera, kështu që renditja e Parmës nuk më duket befasuese deri në një pikë të caktuar”.

Situata e De Ligt – “Nëse mund të luajë tri ndeshje brenda një jave? Ai e bëri këtë edhe dy muaj më parë, kur përballoi 15 ndeshje radhazi, në hapësira kohore të ngushta. Mendoj se mund ta bëjë edhe tani. Ai vjen nga një periudhë pushimi dhe rikuperimi më të madh, sot do ta vlerësojmë. Megjithatë, edhe Rugani ka treguar se është gati, nuk kemi probleme”.

Dybala - “Sinqerisht, më duket se Dybala ka bërë gjërat më të mira në të gjitha drejtimet. Është e qartë se me të, Ronaldo ka më pak referenca përmes rrugëve qendrore. Sidoqoftë, është një mit i rremë që të dy po përpiqen të luajnë së bashku. Cristiano shënoi në ndeshjet e fundit, duke pasur ndonjë shok të skuadrës në krah të tij”.

Kulusevski - “Nesër shpresoj të mos jetë në më të mirën e vet. Në vend të kësaj, shpresoj ta kem top pas gjashtë muajsh. Fjalët që ka thënë drejtori për të mjaftojnë”.

Emre Can - “Nëse ka kufij për ta “ringjallur” atë? Nuk e di. Unë shikoj seancat stërvitore gjatë javës, karakteristikat e lojtarëve dhe pastaj përzgjedh ata që luajnë. Rifillimi është gjithmonë i mundur në jetë dhe futboll”.

Rotacioni – “Unë do ta menaxhoj ekipin siç kam bërë deri më tani. Kush është i lodhur do të pushojë. Formacioni do të jetë pasojë logjike e ndeshjeve kaq afër njëra-tjetrës dhe sa shpesh duhet të luajmë në vazhdim”.

Rabiot - “Ai pati vështirësi në aklimatizim, por është normale që tani ka gjetur vazhdimësinë. Është i shëndetshëm dhe i sigurt, është rritur në performancë. Ai është një lojtar ndryshe nga sa kujtoja: më i pranishëm në fazën mbrojtëse, referues në një futboll më taktik se ai francez. Nëse do të afrohej më shumë me kombëtaren, kjo nuk do të më befasonte, për sa kohë që vazhdon kështu”.

Interi - “Nëse Interi po bëhet i frikshëm në merkaton e dimrit? Kjo është një fjalë e madhe, ne flasim vetëm për sport. Nuk e ndjek merkaton e Interit, përkundrazi nuk më intereson aspak. Ne, siç jemi, besojmë plotësisht se mund të jemi protagonistë. Mendojmë ekskluzivisht për veten, që të japim 100% të potencialit, diçka që deri më tani nuk e kemi bërë gjithmonë". 

Juventus-Inter - “Për mua, Juventus-Roma është tashmë larg në kohë dhe mendime. Unë mendoj vetëm për Parmën. Ne duhet të kemi forcën për t’u përqendruar ndeshje pas ndeshjeje. Pra, duhet të mendojmë vetëm për përballjen e nesërme kundër Parmës. Një muaj e gjysmë në futboll (kur vjen përplasja direkte e fazës së dytë me Interin) është një jetë, gjithçka mund të ndodhë”.

Bernardeschi ikën - "Askush nuk ma ka thënë këtë gjë, është një hipotezë që nuk ekziston”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat