Flamurtari në Antali! Morina: Do të takohem me ekipet rumune dhe kazake

Futboll

Flamurtari në Antali! Morina: Do të takohem me ekipet rumune dhe kazake

Nga: Kemajl Goca Më: 26 janar 2020 Në ora: 16:25
Morina me lojtarë

Flamurtari i Prishtinës do t’i vazhdojë përgatitjet në Antalia të Turqisë, në kërkim të formës më të mirë. Skuadra kuqezi me kryetrajnerin Sunaj Keçin pretendojnë që të përgatisin ekipin sa më mirë për pjesën e dytë të kampionatit, me synim që të sigurojnë ekzistencën. Të gjithë e kanë të qartë, se çdo gabim në pjesën e dytë të kampionatit do të jetë i pariparueshëm, duke pasur parasysh se katër skuadra do të largohen nga elita.

Flamurtari ka përfunduar në vend të nëntë gjatë vjeshtës me 19 pikë, ka katër pikë me pak se Trepça ’89 që gjendet një pozitë më lartë. Të martën e 28 janarit kuqezinjtë marrin rrugë për në Antalia. Drejtori i KF Flamurtarit, Arbnor Morina, tha se do t’i zhvillojnë tri ndeshje kontrolluese, që do t’i shërbejnë Shtabit Teknik të shoh formën e secilit lojtar se sa është i gatshëm për pjesën e dytë të kampionatit.

“Të martën udhëtojmë dhe do të qëndrojmë 12 ditë në Antalia. Kemi paracaktuar tri ndeshje miqësore, me FC Ripensia Timishvara nga Rumania, AFC Dunarea Calarasi nga Rumania dhe FC Okzhetpes nga Kazakistani. Dy ndeshje miqësore i kemi zhvilluar deri me tash, me Shkupin jemi nda baras (0:0) dhe e kemi mundur me 2:0 Ramiz Sadikun”, thotë Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sipas Morinës, kushtet janë shumë të mira: “Trajnerëve ju kemi mundësuar kushte optimale, me pas ndeshje edhe fushën në dispozicion dy herë në ditë, me komponuar ekipin më të mirë”. Morina thotë se si gjithmonë lufta për ekzistencë është e pamëshirshme.

“Lufta për ekzistencë në Superligë është e pamëshirshme, të gjithë në klub besojmë që mundemi dhe do të mbetemi më elitë”, theksoi ai. A do të përforcoheni?

“Nëse kërkon diçka Shtabi Teknik, si e shohin të nevojshëm ata”, përgjigjet Morina.  Emocione janë të mëdha, sidomos te ato skuadra që kërkojnë mbetjen në elitë. “Si gjithmonë në futbollin e Kosovës, është pjesë ku ka më së shumti emocione, angazhim e vrull, ato skuadra që kanë gabuar në pjesën e parë do të mundohen që ato gabime mos t’i përsërisin dhe me qenë edhe me të frytshëm”, ka thënë Morina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat