Golat e Haalandit me Dortmundin ua rrisin të ardhurat pensionistëve norvegjezë

Futboll

Golat e Haalandit me Dortmundin ua rrisin të ardhurat pensionistëve norvegjezë

Më: 28 janar 2020 Në ora: 17:18
Erling Haaland

Sulmuesin e ri të Borussia Dortmundit, Erling Haaland e mbështet e gjithë vendlindja e tij, Norvegjia.

Golat e Haalandit me klubin gjerman i gëzojnë jashtëzakonisht shumë norvegjezët, por ato kanë një rëndësi të veçantë sidomos për pernsionistët atje.

Fondi Shtetëror i Pensioneve në Norvegji, një nga më solidët në botë me një kapital prej 800 miliard eurosh ka blerë në bursë 1.04% të aksioneve të Borussia Dortmundit. Si pasojë, vetëm nga transferimi i Haalandit ka fituar 260 mijë euro, ndërsa me çdo gol të tij, Borussia fiton, aksionet rriten dhe pensionistët norvegjezë kanë më shumë të ardhura.

Sulmuesi u transferua vetëm pak javë më parë në Bundesligë. Dortmundi shpenzoi 20 milion euro për ta blerë atë nga Salzburgu, ndërsa sulmuesi nënshkroi kontratë 4-vjeçare që i siguron përfitim prej 8 milionë eurosh në sezon. Shifra të rëndësishme, por që deri tani janë shpërblyer nga Haaland.

Në dy ndeshjet e para që ka luajtur si zëvendësues, ai ka shënuar 5 gola në 57 minuta. Ka realizuar një gol për çdo 11 minuta në fushë. Një mesatare e frikshme, që sjell siguri dhe pasuri edhe në financat e pensionistëve norvegjezë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat