I deleguari i FIFA-s flet për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KE-së të FFK-së

Futboll

I deleguari i FIFA-s flet për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KE-së të FFK-së

Më: 28 janar 2020 Në ora: 19:48
I deleguari i FIFA-s flet për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KE-së të FFK-së

I deleguari i FIFA-s për programe dhe projekte zhvillimore, Oliver Jung, i cili dje mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të KE të FFK-së, sot, ka vizituar fushat me bari sintetik të ndërtuara me përkrahjen e FIFA-s në Mitrovicë dhe Skenderaj. Gjatë këtyre vizitave, ai, ka parë nga afër punën që është bërë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend dhe ka mbetur me përshtypje shumë të mira.

“Sot vizitova dy prej gjashtë fushave që janë ndërtuar në vendin tuaj dhe sinqerisht ndihem krenar me punën që është bërë. Është tepër e rëndësishme për FIFA-n, por edhe për federatën tuaj që tashmë banorët e këtyre qyteteve dhe futbollistët e rinj kanë qasje në këto fusha dhe mund ta zhvillojnë aktivitetin e tyre të futbollit në kushte shumë të mira. Për FIFA-n ka rëndësi të madhe impakti që ka pasur ndërtimi i këtyre fushave tek popullata. Shpresojmë që FFK do të vazhdojë në këtë rrugë dhe do t’u krijojë mundësi edhe më të mëdha rinisë së vendit tuaj që të jenë edhe më afër futbollit dhe të kenë hapësira të tilla moderne për zhvillimin e talentit të tyre”, ka thënë Jung.

Duke folur për ecurinë e Kuvendit të djeshëm të FFK-së, Jung ka thënë se, ai, së bashku me përfaqësuesin  e UEFA-s (Denis Bastari) kanë qenë dëshmitarë të një procesi demokratik në zgjedhjen e anëtarëve të KE të FFK-së. “UEFA e FIFA ishin të pranishme në këtë Kuvend për të mbështetur Federatën, për t’i mbrojtur aktet normative dhe për të parë qeverisjen dhe transparencën e drejtuesve të FFK-së. Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KE-së ka qenë i mirë dhe demokratik. Kishte pak zhurmë, por kjo ndodhë edhe në familjet më të mira, pra është diçka normale dhe ndihmon në përmirësimin e gjërave. Në fund të ditës shumica vendosi për zgjedhjen e anëtarëve të KE-së dhe gjithçka ishte mbi bazën e demokracisë. Ajo çfarë dua të them është se tani rëndësi ka që të ketë mirëbesim dhe mirëkuptim për të mirën e futbollit. Gjithsesi, ne, edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën, duke ofruar asistencë për FFK-në.

Njëherësh do të vazhdojmë t’i përkrahim projektet e federatës tuaj që kanë për qëllim ngritjen e futbollit. Drejtuesit e federatës tuaj kanë vizion dhe duhet të vazhdojnë punën në zhvillimin e futbollit, ngase vërtet është bërë një punë e shkëlqyeshme për një kohë të shkurtër pas anëtarësimit në UEFA e FIFA”, ka nënvizuar Jung.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat