Presidenti i Barcelonës cakton takim urgjent me Abidalin, pas reagimit të Messit

Futboll

Presidenti i Barcelonës cakton takim urgjent me Abidalin, pas reagimit të Messit

Më: 5 shkurt 2020 Në ora: 10:53
Foto ilustrim

Mediumi spanjoll RAC-1 raporton se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka ftuar drejtorin sportiv të klubit, Eric Abidalin, për një takim urgjent për ta qartësuar situatën, pas reagimit të ashpër të Lionel Messit në rrjetet sociale.

Josep Maria Bartomeu ka vendosur të kthehet në Barcelonë nga udhëtimi i tij për biznes fundit për ta mbajtur një takim urgjent me Eric Abidalin gjatë ditës së sotshme, për ta sqaruar situatën me Lionel Messin.

Takimi, i cili pritet të mbahet dikur gjatë ditës së mërkurë, vjen si pasojë e intervistës së Abidalit me Diairo Sport, kur francezi kishte pretenduar se lojtarët s’kishin punuar aq sa duhet në stërvitje dhe lojë nën Ernesto Valverden dhe kjo kishte ndikuar në shkarkimin e trajnerit.

Kjo deklaratë e Abidalit e kishin provokuar një reagim të shpejtë e të ashpër nga kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi. Ai postoi në llogarinë e tij në Instagram vetëm 87 minuta pas publikimit të intervistës së Abidalit.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi.

Pas kësaj deklarate të Messit, e ardhmja e Abidalit në pozitën e drejtorit sportiv të Barcelonës është vënë në dyshim, përderisa disa media spanjolle sugjerojnë se takimi i sotëm do të jetë fundi i karrierës së Abidalit në këtë rol.

Abidal ka qenë nën presion pasi që s’kishte arritur ta siguronte transferimin e një sulmuesi në afatin e kalimtar të janarit. Tani, presidenti, që të dielën i doli në mbrojtje në një intervistë francezit, mund të jetë i detyruar ta shkarkojë Abidalin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat