Kështu tha Shosholli në Tiranë në vitin 1993: Fadil Vokrrin e thirra, nuk na erdhi as Kujtimi prej Zagrebit...

Futboll

Kështu tha Shosholli në Tiranë në vitin 1993: Fadil Vokrrin e thirra, nuk na erdhi as Kujtimi prej Zagrebit...

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 11:52
Kështu tha Shosholli në Tiranë në vitin 1993: Fadil Vokrrin e thirra, nuk na erdhi as Kujtimi prej Zagrebit...

Trajneri i mirënjohur, Ajet Shosholli, është selektori i parë i kombëtares së Kosovës në vitin 1991.

Shosholli ka qenë i kërcënuar rëndë në vitin 1991 nga pushtuesi serb, saqë sigurimi shtetëror serb kishte përdorur edhe gjuhën ofenduese e kërcënuese ndaj tij, kur me 15 gusht nuk ka pranuar ta udhëheq Prishtinën nën masat e dhunshme dhe jep dorëheqje të parevokueshme, pas tij largohen edhe të gjithë futbollistët shqiptarë, me përjashtim që dy mbeten aty.  

Me 14 shkurt të vitit 1993, kombëtarja e Kosovës, zhvilloi takimin e parë revyal me Shqipërinë dhe pësoi humbje me rezultat 3:1, në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi”.  

Çfarë kishte thënë Shosholli pas ndeshjes, sidomos për legjendat e futbollit, Fadil Vokrrin dhe Kujtim Shalën. Ja deklarata e plotë që e kishte dhënë për gazetarin Albert Basha, që punonte për gazetën “Sporti” e Tiranës”!

“Ndeshja ishe për ne deri kur pësuam gol, kjo s'mund të mohohet, një gabim, ashtu siç është në përgjithësi futbolli, dhe ne e  pësuam. Fadil Vokrrin e thirra, dhe ai s'mund të vijë prej France. Kemi nëntëmbëdhjetë ditë që stërvitemi, nuk na erdhi as Kujtimi prej Zagrebit. Para këtyre ditëve aktiviteti ynë si ilegal fushave të rastësishme të fshatrave ishte shumë i sipërfaqshëm, me gjithë përpjekjet e djemve. Jemi në kushte jashtëzakonisht të vështira jetësore, kështu edhe sportive.

Të shpresojmë, sidoqoftë tek e ardhmja”, kështu kishte thënë Shosholli para 27 viteve.

Vokrri dhe Shala nuk iu bashkuan kombëtares së Kosovës, për shkak të aktiviteteve që kishin me klubet e tyre dhe nuk iu dhanë leje atyre, ndërsa kjo ndeshje miqësore me Shqipërinë luhej jashtë kalendarit të UEFA-së dhe FIFA-së. Edhe Vokrri edhe Shala ishin të gatshëm, por klubet ku luanin nuk i lëshuan për këtë ndeshje!

Madje edhe Shqipëria rrezikoi që të dënohet për faktin se kishte luajtur jashtë kalendarit zyrtar të UEFA-së dhe FIFA-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat