Mërkoja flet me emra: Këta i vazhduan garat në të ashtuquajturën Kosovë e Metohi!

Futboll

Mërkoja flet me emra: Këta i vazhduan garat në të ashtuquajturën Kosovë e Metohi!

Nga: K. Goca Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 16:14
Mërkoja flet me emra: Këta i vazhduan garat në të ashtuquajturën Kosovë e Metohi!

Ish sekretari i parë i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, Sejdi Mërkoja, ka reaguar në lidhje me mirënjohjet e fundit që ka dhënë Komuna e Prishtinës për sportistët dhe sipas tij, nuk është mirë që të nderohen me mirënjohje edhe ata që nuk kontribuan dhe nuk iu bashkuan futbollit dhe sportit të pavarur të Republikës së Kosovës, por vazhduan garat në të ashtuquajturën Kosovë e Metohi dhe në Ligat e Serbisë.

“Në atëkohë, çdo person i involvuar në futbollin e Kosovës, e kemi informuar për qëllimet që kemi pasur për pavarësimin e futbollit të Kosovës.

Edhe Hysni Maxhuni (trajner) e kemi informuar përmes njerëzve të Mitrovicës, që punëtorët e futbollit, kanë qëllim për mevëtësimin e futbollit nga institucionet e pushtetit okupues serb, mirëpo i njëjti jo që nuk iu bashkangjit kësaj iniciative, përkundrazi edhe futbollistët që luajshin në ekipin e atëhershme Rudari nga Mitrovica, i bindi që të mbesin në klub dhe të vazhdojnë garat në ligën e ashtuquajtur Kosovë e Metohi, të cilën e organizonte pushtuesit serb”, reagon Mërkoja. Më pas Mërkoja e mbështet fuqishëm edhe reagimin e selektorit të parë të kombëtares së Kosovës (1991), Ajet Shosholli. “Reagimi i seleksionuesit Ajet Shoshollit, është plotësisht me vend sepse një koleg i tij i cili bashkëpunonte me pushtetin e atëhershëm, u dekorua me mirënjohje nga Komuna e Prishtinës, e që mendoj se ndikim ka pasur edhe kryetari i kësaj komune, i cili vjen nga Mitrovica.

Nëse nuk është kështu, vet kryetari i komunës, z. Shpend Ahmeti, duhet të tregoj se kush ka pasur ndikim që të dekorohet edhe Hysni Maxhuni, sepse i njëjti në Prishtinë ka punuar vetëm tri vite dhe kurrfarë kontributi tjetër nuk ka dhënë, kurse ka shumë njerëz kanë dhënë shumë me tepër për sportin e Prishtinës.

Andaj në tërësi e përkrahi qëndrimin e z. Ajet Shoshollit, që komuna e Prishtinës po i barazon njerëzit të cilët jo që nuk kanë dhënë kontribut në sportin e Prishtinës, përkundrazi nuk ka qenë lojal as në kohën e pavarësimit të sportit të Kosovës, me sportistët e Kosovës.

Jam i bindur që këtë qëndrim e kanë të gjithë ata të cilët sakrifikuan shumë në periudhën 1991-1999, që sporti i Kosovës, të mëvetësohet e ata janë shumë, por janë të harruar, e që është dëmi i madh për një shtet të ri, që nuk po e jep vlerën që e meritojnë”, përfundon reagimi i Mërkojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat