Genc Nuza iu është kundërpërgjigjur kritikave të shumta pas ndeshjes Vushtrria-Drita.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka publikuar faqen e IFAB, ku janë të shënuara ligjet e përcaktuara të lojës së futbollit.
“Lexo, mëso, studio në emër të Krijuesit tënd që krijoi cdo gjë”, ka shkruar Nuza.
Ndryshe, Genc Nuza është gjyqtari më i mirë dhe më i besueshëm në vend.
Ky është konkluzion i nxjerrë edhe nga zyrtarë e trajnerë të shumicës së klubeve në elitë.
Mirëpo, për ironi të fatit, Nuzën po e përcjellin kritikat e ndeshjeve të Dritës.
Në dy prej tri ndeshjeve të para të këtij edicioni në elitë, Nuza ka gjykuar në ndeshjet e Dritës dhe në të dy takimet është akuzuar.
Pas derbit ndaj Gjilanit u “gozhdua” pa të drejtë, pasi që në xhirimet televizive të “Supersport” shihej hapur simulimi në zonën bardhekaltër, që s’kishte lidhje me penallti.
Mirëpo, kritikat u rikthyen sot në ndeshjen ndaj Vushtrrisë.
Bardhekaltërit nga “Ferki Aliu” pretendojnë që Drita meritoi në dy raste kartonin e kuq (te Fidan Gërbeshi dhe te portieri Tafilovski), e po ashtu protestuan gjatë edhe për një gol të anuluar nga goditja e dënimit.