Blen shtëpi me vlerë 4 milionë euro

Futboll

Blen shtëpi me vlerë 4 milionë euro

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 11:26
Kalidou Koulibaly

Nuk la më asnjë dyshim, Kalidou Koulibaly do të luajë në radhët e PSG-së duke filluar nga sezoni i ardhshëm. E vërteton këtë lëvizja që ka bërë së fundmi mbrojtësi i Napolit, i cili konsiderohet trashëgimtari i Thiago Silvas te kampionët e Francës (brazilianit i përfundon kontrata më 30 qershor).

Mësohet se 28-vjeçari ka blerë një shtëpi me vlerë 4 milionë euro në kryeqytet, çka do të thotë se e ka arritur tashmë marrëveshjen me skuadrën pariziene, edhe pse duhet të kalojnë disa muaj që të hapet merkatoja e verës.

Nga detajet që jep “Le Parisien”, mbrojtësi senegalez ka prenotuar një apartament me sipërfaqe 220 metra katrorë e që vlerësohet plot 4 milionë euro. Në fakt, apartamenti në fjalë është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë brenda pak muajsh.

Nga ana e tij, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis e vlerëson kartonin e futbollistit 75 milionë euro, shumë kjo e madhe edhe për një klub të pasur si PSG.

Në gjurmët e Koulibaly është vënë prej kohësh edhe Manchester City, një pistë tashmë e rënë, nëse merret në konsideratë fakti që kampionët në fuqi të Anglisë janë përjashtuar nga kompeticionet europiane për dy sezonet e ardhshme.

Sipas të gjitha gjasave, gjiganti senegalez po luan sezonin e fundit nën hijen e Vezuvit, ku muajt e fundit ka shfaqur probleme të vazhdueshme fizike, aq sa është aktivizuar në vetëm një takim që nga mesi i muajit dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat