Shtyhet derbi Juventus – Inter

Futboll

Shtyhet derbi Juventus – Inter

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 12:51
Shtyhet derbi Juventus – Inter

Përballja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit, si dhe ndeshjet Udinese-Fiorentina, Milan-Genoa, Parma-SPAL dhe Sassuolo-Brescia – janë shtyrë për 13 maj, shkaku i koronavirusit.

Fillimisht, 13 maji ishte caktuar si data e finales për Kupën e Italisë, megjithatë ajo ndeshje tani është zhvendosur për t’u zhvilluar më 20 maj.

Të gjitha këto ndeshje ishte planifikuar të zhvilloheshin prapa dyerve të mbyllura këtë fundjavë për shkak të përhapjes së koronavirusit në pjesën veriore të Italisë.

Një vendim për këto ndeshje raportohet nga mediat italiane se ishte marrë dje, mirëpo sot në mëngjes u ndryshua ai vendim sërish, gjatë një takimi urgjent mes qeverisë italiane dhe autoriteteve të futbollit.

Klubet nuk dëshironin t’i humbnin përfitimet nga disa ndeshje të mëdha, veçanërisht pesë milionë eurot që Juventusi pritej t’i fitojë nga përballja me Interin në Allianz të dielën.

Klubet vendase gjithashtu nuk dëshironin që ta humbnin epërsinë e të qenët vendas duke mos e pasur mbështetjen e tifozëve në stadium. Për këto arsye, tani ndeshjet janë zhvendosur më 13 maj.

Kjo ishte data e vetme në dispozicion, pasi që Juventusi dhe Interi janë në gjysmëfinale të Kupës të Italisë dhe në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Inter – Sampdoria duhet gjithashtu të caktohet për një datë të tjetër pasi që ndeshja e xhiros së kaluar gjithashtu ishte shtyrë. Nëse Interi e arrin finalen e Kupës së Italisë dhe finalen e Ligës së Evropës, Federata italiane do ta ketë problem ta caktojë një datë për këtë ndeshje, pasi që verës nuk mund ta shtyjë sezonin shkaku i Kampionatit Evropian.

Çuditërisht, ndeshja mes Udineses dhe Fiorentinës u anulua vetëm gjashtë orë para se të fillonte, pasi ekipi i Fiorentinës veçse kishte udhëtuar në Friuli për ta zhvilluar këtë ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat